Kërko

Urimet, kalendari, ritet e Vitit të Ri në lashtësi

Gjatë kohës së urimeve të fundvitit, një shikim në botën romake zbulon se fjala ishte akt ritual. Formulat e përshëndetjes, paqja, fati i mirë dhe urimet, shënonin kalimin e vitit, duke ndjekur kalendarin, pushtetin dhe jetën e përditshme. Në këtë udhëtim përmes filologjisë, epigrafisë dhe praktikave festive, na udhëheq Marc Mayer Olivé, i cili rindërton kuptimin e thellë të shprehjes "Dicamus bona verba", që për romakët, të urosh mirë do të thoshte, para së gjithash, të shqiptosh mirë.

R.SH. / Vatikan

Në botën romake, kalimi nga një vit në tjetrin nuk përkonte automatikisht me 1 janarin. Siç shpjegon Profesor Marc Mayer Olivé, profesor nderi në Universitetin e Barcelonës, "Nata e Vitit të Ri varej nga ndryshimi i kalendarit të epokës cezariane". Përpara reformës së Jul Cezarit, kalendari romak i nënshtrohej manipulimit të vazhdueshëm: sistemi i viteve të ndërsjella, i kontrolluar nga autoritetet politike, kishte prodhuar - vëren studiuesi - "shmangie të vërteta", jo vetëm stinore, por edhe institucionale. Koha mund të zgjatej ose shkurtohej, sipas dëshirës: "Me miqtë, viti zgjaste pak më shumë, me armiqtë, padyshim më pak". Kështu Reforma Juliane kishte meritën e "depolitizimit të kalendarit", duke rikthyer koherencën dhe stabilitetin në vitin civil.

Giano dhe koha e pragut

Dita e parë e vitit binte simbolikisht nën shenjën e Janusit, hyjnisë me dy fytyra, që mishëron pragun. Është, siç e përmbledh Mayer, "çasti kur dikush mund të shikojë prapa dhe përpara". Një kohë tranzicioni, vlerësimi dhe pritjeje, e cila në botën romake shprehej kryesisht përmes fjalëve. Këto nuk ishin formula zbukuruese, por akte gjuhësore të pajisura me efikasitet simbolik.

Busti i Janus Bifrons, ©Muzetë e Vatikanit, Qyteti i Vatikanit
Busti i Janus Bifrons, ©Muzetë e Vatikanit, Qyteti i Vatikanit

Ave, vale, salve: të urosh të mirën

Leksiku i përshëndetjes e shpreh këtë veçanërisht qartë. Ave është formula më e zakonshme e dëshmuar dhe, siç thekson Mayer, "nuk është  përshëndetje e thjeshtë, por dëshirë". Termi i referohet si foljes greke chaire ashtu edhe foljes latine avere e cila, në kohët arkaike, shprehte  dëshirën për mirëqenie. "Të shqiptosh ave" shpjegon ai, "do të thotë: ji mirë". Përshëndetja romake par excellence është pra dëshirë për shëndet,  trashëgim që përfshin shekujt dhe arrin deri në traditën e krishterë Ave Maria – të falem Mari!

Të njëjtës logjikë i përket vale, e rezervuar për çastin e ndarjes, me kuptimin "ji mirë, ki shëndet të mirë". Kombinimi i ave dhe vale ka gjithashtu përdorim të rëndësishëm në kontekstin funeral. Për romakët, ishte e rëndësishme që kalimtarët të përshëndesnin të ndjerin duke lexuar me zë të lartë emrin e gdhendur në mbishkrim. Në një kulturë, ku leximi ishte gjithmonë i zëshëm, shqiptimi i atij emri nënkuptonte riaktivizimin e tij në të tashmen. Siç vëren Mayer, "emri rikthehej në jetë në çastin kur shqiptohej". Vale e fundit vulosi kështu shkëmbim simbolik ndërmjet të gjallëve dhe të vdekurve.

Sot, si dje

Kjo strukturë urimesh përshkon edhe gjuhën e përditshme. Salve, fjalë për fjalë "ji mirë", tregon se edhe marrëdhënia më themelore u ndërtua si  shkëmbim dëshirash të mira. Kjo vazhdimësi është e dukshme në shprehjet që janë ende gjallë, të tilla si ad maiora ose ad multos annos, të cilat e ruajnë të paprekur funksionin e urimit latinisht.

Në këtë kuadër përfshihet edhe shprehja e kujtuar nga Tibullus: Dicamus bona verba, venit Natalis ad aras"Le të themi fjalë të mira/urimesh të mira, Krishtlindjet po i afrohen altarëve".

Siç sqaron Mayer, "çka është e mbarë, nuk është vetëm festimi, por vetë akti i të thënit të fjalëve të mira". Natalis latine nuk ka të bëjë me Krishtlindjet e krishtera, por me një festimi pagan, me shumë gjasa të lidhur me Saturnalia-n, mbi të cilën do të shartohej më vonë tradita e krishterë. Ajo që ka rëndësi është akti gjuhësor: ta shqiptoje mirë fjalën, ishte njëlloj si ta prodhoje.

Pax: dëshira më e lartë

Ndërmjet dëshirave, ajo e paqes zinte vendin kryesor. Pax Romana është e ndritshme dhe e dobishme: et nomen pacis dulce est, shkruan Ciceroni, duke theksuar ëmbëlsinë e emrit të saj. Silius Italicus e përcakton atë si optima rerum, "gjëja më e bukur se të gjitha". Kjo nuk është dëshirë naive, por parim politik dhe moral. "Paqja", vëren studiuesi, "është dëshira më e rëndësishme", sepse është rezultat i drejtësisë dhe i besohet përgjegjësisë së pushtetit. Nuk është rastësi që dëshira për bonum shfaqet shpesh në epigrafet e vona perandorake, e lidhur me figurën e perandorit, si garantues i paqes.

Fortuna, felicitas, faustum

Krahas paqes, shfaqet tema e fatit. Formulat më të zakonshme të favorshme, të tilla si quod bonum felix faustum sit, shprehin idenë se e mira duhet të jetë njëkohësisht e lumtur, e frytshme dhe e favorshme. Në disa variante, fati shfaqet në mënyrë të qartë: "Për romakët," kujton profesori, "e mira arrihet vetëm nëse fati e lejon atë". Ky është element themelor i mendësisë pagane, e paracaktuar të bashkëjetojë për një kohë të gjatë me reflektimin etik dhe fetar.

Duke u mbështetur në "Llambat antike të varrit, të mbledhura dhe të ilustruara" në librin e vitit 1691 nga Pietro Santi Bartoli dhe Giovanni Pietro Bellori.
Duke u mbështetur në "Llambat antike të varrit, të mbledhura dhe të ilustruara" në librin e vitit 1691 nga Pietro Santi Bartoli dhe Giovanni Pietro Bellori.

Llambat fatmirëse

Këto shprehje nuk kufizohen vetëm në sferën rituale ose zyrtare, por shfaqen edhe në objektet e përditshme. Llambat, vëren Mayer, janë "ndoshta instrumenti i parë që njohim mirë për të kuptuar se si bëheshin urimet e mira". Formula annum novum faustum felicem (dita e lumtur e vitit të ri) shpesh shfaqet në to, ndonjëherë e shoqëruar nga imazhi i Fatit që mban një clipeus, një mburojë. Objektet e zakonshme, të destinuara për qarkullim shtëpiak, bëhen kështu edhe mjete mbrojtjeje.

Ritet e dhuratat

Lidhur me ritualet e Vitit të Ri, dokumentimi është fragmentar, por lidhja me Saturnalia duket qartë. Shkëmbimi i dhuratave, i përshkruar nga Martial në librat e Apoforetës dhe Xenisë, paraqet pamjen e një gostie miqësore me dhurata të vogla, shpesh modeste: ushqim, objekte të përditshme, ndonjëherë ushqime të thjeshta. "Madje mund të jepeshin dy lakra", kujton Mayer, ose, në një variant më të rafinuar, "dy stili, domethënë dy penda". Krahas këtyre dhuratave kryesore, duken edhe librat, objekte me vlerë të madhe në botën e lashtë, për një pakicë të zgjedhur. "Një libër", thekson Mayer, "nuk ishte dhuratë për të gjithë", pasi kërkonte kapital të konsiderueshëm kulturor dhe material. Edhe termi strena, ose strenna, që përdoret ende sot, i ka rrënjët e tij në latinisht dhe i referohet këtyre ofertave të vogla, që ndonjëherë përbëhen vetëm prej fjalësh.

Fjalë të mira

Është edhe një figurë e lashtë e Vitit të Ri, shumë larg çdo emfaze ideologjike: një kohë e lidhur me ciklet e natyrës, me fatin dhe paqen, e shënuar nga gjeste të thjeshta dhe formula kuptimplote. Thënia e "fjalëve të mira" nuk ishte luks retorik, por akt efektiv, i aftë për të ndërtuar lidhje, miqësi dhe për t’i dhënë formë kohës që po fillonte.

02 janar 2026, 09:20