Kërko

Militantët sudanezë të rezistencës popullore në qytetin Gedaref (AFP ose licencuesit) Militantët sudanezë të rezistencës popullore në qytetin Gedaref (AFP ose licencuesit)

Sudan, mbi njëqind të vdekur, në një javë perleshjesh

Numri tragjik i viktimave është rezultat i shkëmbimeve të zjarrit ndërmjet ushtrisë sudaneze dhe armiqve të saj paraushtarakë në dy qytete të Darfurit, Al-Zuruq dhe Kernoi. Për shkak të krizës humanitare, pasojë e luftës që shpërtheu në vitin 2023, më se 30 milionë njerëz në vend kanë nevojë për ndihmë. Dje, më 4 janar, të paktën 30 ushtarë jugsudanezë, humbën jetën në veri të Sudanit të Jugut, në kufirin me Sudanin.

R.SH. / Vatikan

Sipas burimeve mjekësore, numri i të vdekurve nga sulmet e ushtrisë sudaneze dhe armiqve të saj paraushtarakë në dy qytete të Darfurit, gjatë javës së kaluar arriti në më se njëqind vetë. Sulmet me dronë atribuar ushtrisë në qytetin Al-Zuruq, kontrolluar nga Forcat rivale të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), vranë 51 civilë të shtunën, më 3 janar. Gjatë një bastisjeje pesë-ditore nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë në qytetin e Kernoi, 100 kilometra në perëndim të tij u vranë 63 civilë dhe u plagosën 17.

Më se 30 milionë njerëz varen nga ndihmat humanitare

Lufta në Sudan shpërtheu në prill të vitit 2023, ndërmjet Forcave të Armatosura Revolucionare (RAF) dhe ushtrisë së rregullt. Që atëherë shkaktoi vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve dhe zhvendosjen e brendshme e të jashtme të më se 13 milionë vetëve. Gjithashtu shkatërroi vendin dhe  e shndërroi në skenën e krizës më të keqe humanitare në botë. Me më shumë se 15 milionë njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, Sudani aktualisht është vendi që ka më shumë njerëz të zhvendosur në botë: më se 30 milionë vetë kanë nevojë për ndihmë humanitare dhe mbi 26 milionë vuajnë në pasiguri të rëndë ushqimore. Sipas Kombeve të Bashkuara, të paktën 150,000 njerëz kanë vdekur që nga viti 2023.

Tridhjetë, ushtarët e vrarë në përleshje në Sudanin e Jugut

Dje, më 4 janar, të paktën 30 ushtarë të Sudanit të Jugut u vranë në një përleshje ndërmjet Forcave të Mbrojtjes Popullore të Sudanit të Jugut (SSPDF) dhe Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Sudanit (SPLA-IO) të opozitës për kontrollin e një baze ushtarake në veri të Sudanit të Jugut, pranë kufirit me Sudanin. Majori Kerbino Yai Pazale, zëdhënës i Sektorit Dy të SPLA-së, njoftoi për agjencinë spanjolle të lajmeve EFE se luftimet shpërthyen të shtunën në Nyuelnyuel, i njohur edhe si Kubri Jamus, rreth tri kilometra në jug të kufirit me Sudanin, dhe rifilluan dje në mëngjes.

05 janar 2026, 10:51