Siri, Imzot Jallouf: në Halep mjaft me luftë dhe shpërngulje
R.SH. – atikan
Siria, pas 14 vitesh luftë civile, ka nevojë për stabilitet, por në Halep “gjërat nuk po shkojnë mirë”. Këtë pohon imzot Hanna Jallouf, Vikar Apostolik i Hapelit, i kontaktuar me telefon nga mediat e Vatikanit. Imzot Jallouf flet nga qyteti në veri të Sirisë, ku që nga e marta kanë rifilluar luftime intensive mes forcave qeveritare të Damaskut dhe milicive me shumicë kurde të bashkuara në Forcat Demokratike Siriane (FDS).
Në krah të popullit
“Një bari duhet të qëndrojë me grigjën e tij në vështirësi”, siguron prelati imzot Jallouf, sipas të cilit situata në Halep fatkeqësisht duket se po shkon “nga keq e më keq”. Bilanci i përkohëshëm i përleshjeve flet për të paktën pesë të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, mes të cilëve civilë, ndërsa OKB-ja vlerëson se mbi 30.000 persona janë larguar tashmë nga qyteti në përpjekje për të shpëtuar.
Imzot Jallouf tregon për një video dramatike që qarkullon në rrjet “ku shihen kufoma në rrugë, ende poshtë makinave”. Ushtria siriane ka njoftuar shtetrrethimin në lagjet Sheikh Maqsoud dhe Ashrafieh duke filluar nga ora 15:00 me orën lokale. Gjithashtu, u ka urdhëruar banorëve të disa zonave me shumicë kurde që të lënë shtëpitë e tyre në prag të sulmeve kundër FDS-së.
Asistenca për të shpërngulurit
“Dje u hapën dy korridore humanitare për të lejuar kalimin e njerëzve deri në orën tre e gjysmë të pasdites”, konfirmon Jallouf, duke shpjeguar se në Halep “ne si të krishterë kemi përgatitur tri vende për të pritur njerëzit, dy në selinë e dioqezës latine (një në kolegjin e Tokës së Shenjtë; tjetrin në Kishën e Lajmërimit) dhe gjithashtu siro-ortodoksët kanë hapur një në peshkopatën e tyre”.
Myslimanët kanë hapur katër Xhami. “Gjithsej janë mirëpritur pothuajse 3.500 persona, ndërsa të tjerë kanë gjetur strehim në disa shtëpi private apo në vende të tjera”. Përveç ofrimit të një strehe të sigurt, sipas ipeshkvit, “ne u kemi siguruar atyre batanije dhe mjete të nevojës së parë”.
“Shpresojmë që Zoti të na japë forcë, guxim dhe paqe”, përfundon ai duke uruar më në fund një stabilizim të plotë pas 14 vitesh lufte: “Kemi vuajtur mjaft. Mjaft me gjak dhe mjaft me frikë. Tashmë kemi 11 milionë sirianë jashtë shtetit; mjaft me shpërngulje”.
Ushtria bombardon lagjet kurde të Halepit
Ushtria siriane ndërkohë ka bombarduar sot lagjet kurde të Halepit, pasi lejoi civilët të evakuoheshin. Udhëheqësi i kësaj pakice kurde beson se luftimet në qytetin kryesor verior sirian rrezikojnë shanset për një marrëveshje me qeverinë në Damask. Këto përleshje mund të marrin një dimension rajonal, me Turqinë që deklaron gatishmërinë e saj për të ndërhyrë së bashku me autoritetet siriane dhe Izraelin që mbron kauzën e kurdëve. Dyqanet, universitetet dhe shkollat mbetën të mbyllura në qytetin e dytë më të madh të Sirisë, dhe mbyllja e aeroportit u zgjat deri të premten në mbrëmje.
Dhuna, e cila ka lënë të paktën 21 të vdekur sipas numërimit të fundit, është më serioze në qytet midis qeverisë qendrore dhe kurdëve, një pakicë e madhe etnike që kontrollon sipërfaqe të gjera territori në Sirinë verilindore. Këto sulme vijnë ndërsa të dyja palët përpiqen të zbatojnë një marrëveshje të arritur në mars për të integruar institucionet e administratës autonome kurde dhe krahun e saj të armatosur, Forcat e fuqishme Demokratike Siriane (SDF), në shtetin e ri sirian.
"Përpjekjet për të sulmuar lagjet kurde, në mes të negociatave, dëmtojnë shanset për të arritur një marrëveshje", u ankua komandanti i SDF-së, Mazloum Abdi. Ushtria filloi "të bombardonte rëndë pozicionet e SDF-së në lagjet Ashrafieh dhe Sheikh Maqsoud", raportoi agjencia zyrtare e lajmeve SANA.Autoritetet u kishin dhënë civilëve tre orë në mëngjes për të ikur përmes dy "korridoreve humanitare". Sipas autoriteteve, rreth 16.000 njerëz ikën të enjten, duke ndjekur mijëra që kishin ikur një ditë më parë.