Kërko

Shën Rajmondi i Penafortit Shën Rajmondi i Penafortit

Me 7 janar kalendari kujton shën Raimondin e Penjafortit

Papa Gregori IX e thirri në Romë dhe i besoi detyrën të mblidhte të gjitha dekretet papnore dogmatike e disiplinore, , duke dhënë edhe shpjegimet e veta për problemet e veçanta. Detyrë gati e parealizueshme. Por domenikani me aftësi të shquara e vullnet të hekurt për punë, arriti të realizonte një përmbledhje të përkryer.

R.SH. - Vatikan

Me 7 janar kalendari kishtar përkujton Shën Raimondin e Penjafortit, rregulltar domenikan

Ungjilli, i cili na tregon për një Zot që hyn në histori dhe e shndërron atë, është një mesazh që tregon udhën e së vërtetës, por edhe atë të mëshirës. Sepse pikërisht në jetën e përditshme dashuria e pamasë e Zotit merr trajtë. Dhe kjo trajtë kalon përmes mjeteve të njerëzimit, përfshirë edhe të drejtën, siç dëshmon historia e shën Rajmondit nga Penjaforti, domenikan katalanas.

I lindur në një familje të pasur në Katalonjë në vitin 1175, Rajmondi nisi studimet në Barcelonë për t'i vazhduar më pas në Bolonjë, ku njohu papën e ardhshëm Inoçentin IV. Në vitin 1222 në Barcelonë, ku ai ishte kthyer dhe shërbente si kanonik i Katedrales, u themelua një kuvend i Urdhrit të ri të Predikatarëve dhe ai vendosi të ndiqte karizmën e shën Domenikut.

Në vitin 1223 ndihmoi Pjetër Nolaskon të themelonte murgjit Mercedarë për shpërblimin dhe lirimin e skllevërve. Disa vite më vonë në Romë, mori detyrën nga Gregori IX për të mbledhur dhe rregulluar të gjitha dekretet (aktet e Papëve në lëndën dogmatike dhe disiplinore). Gjithë ky material juridik kanonik mori kështu një rregullsi të paarritur kurrë më parë deri në atë kohë.

Në vitin 1234 refuzoi katedrën e kryedioqezës së Taragonës, por në vitin 1238 bashkëvëllezërit e tij e zgjodhën Epror të Përgjithshëm të Urdhrit të Domenikaënve. Në moshën 70-vjeçare pati rastin të tërhiqej nga mundimet baritore. Vdiq në Barcelonë në vitin 1275 dhe është shpallur shenjt që nga viti 1601.

Martiriologu Romak e përshkruan kështu: “Shën Raimondi i Penjafortit, meshtar i Urdhërit të Predikatarëve, njohës i shkëlqyer i së drejtës kanonike, shkroi shumë për Sakramentin e Rrëfimit e, si u zgjodh Epror i përgjithshëm i Domenikëve, përgatiti një botim të ri të Kushtetutës së Urdhërit; mbylli sytë në Tënzonë në moshë të shtyrë, në Barcelonë të Spanjës”. 

07 janar 2026, 10:25