Kërko

Shën Gjoni Nepumoçeni Neuman Shën Gjoni Nepumoçeni Neuman

Më 5 janar, kalendari kujton Shën Gjon Nepumoçenin Neuman, ipeshkëv

Duke u qëndruar pranë të gjithë njerëzve që kishin nevojë për meshtarin, Gjon Nepomuçeni Neuman e la krejt pas dore kujdesin për vetveten. Ishte ipeshkëv popullor e për këtë u kritikua shumë prej grupeve të ndryshme antikatolike.

R.SH. - Vatikan

Më 5 janar, kalendari kujton Shën Gjon Nepumoçenin Neuman (Jan Nepomucký Neumann), ipeshkëv, dëshmitarë i një Zoti që bëhet i afërt përtej kufijve.

Nuk ka kufij, nuk ka pengesa për atë që do, dhe të krishterët janë dëshmitarë të dashurisë më të madhe: asaj të një Zoti që bëhet bashkudhëtar i njerëzimit deri në skajet më të largëta të ekzistencës. Ky është stili që e udhëhoqi Shën Gjon Nepomuk Neumann, misionar në një Amerikë asokohe në rritje të vrullshme dhe që kishte nevojë për dëshmitarë të vlerave themelore të Ungjillit.

Jan Nepomuk Hummel lindi në Bohemì më 28 mars të vitit 1811 në një familje zejtarësh. Emri i tij i dytë - Nepomuçeni - është i një shenjti të shekullit XIV, që quhej kështu, sepse kishte lindur në Nepomuç të Bohemisë, vend që në 1800-tën i përkiste Perandorisë Austro-hungareze.

Studioi më parë disiplinat klasike në shkollën Ceke Budojevice, për të kaluar më pas në seminar në Universitetin e Pragës, ku studioi teologjinë. Përveç studimeve filozofike e teologjike, interesohej për astronomi e botanikë. Në moshën 24 vjeç ishte gati për t’u bërë prift, dëshironte shugurimin meshtarak, mirëpo ipeshkvi i tij, në vitin 1835, vendosi që nuk do të kishte shugurime tjera meshtarake, pasi që  Bohemia kishte një numër të madh priftërinjsh. Gjoni Nueman, që fliste tetë gjuhë, i shkroi ipeshkvijve amerikanë duke kërkuar të shugurohej për meshtar.

Në vitin 1836 emigroi në SHBA-së, zuri vend në Manhatam, ku u  mirëprit nga ipeshkvi John Dubois, i cili kishte vetëm 36 priftërinj për Shtetet e Nju Jorkut e të Nju Xhersit. Dy javë pasi kishte arritur në SHBA u shugurua meshtar dhe u dërgua në Bufalo, ku do të kujdesej për emigrantët me origjinë gjermane. Meshtari i ri u vendos në Williamswille ku nisi të banojë në një shtëpi të vogël, që u bë qendër e veprimtarisë misionare. Nga kjo shtëpizë nisej çdo ditë për të vizituar e takuar popullsinë e fshatrave  për rreth: kështu bëri miq e armiq, dashamirë e kundërshtarë, jetoi me rrezik mbi kokë, në varfëri të plotë, për ta kryer si duhet detyrën e misionin që i qenë besuar.

Duke u qëndruar pranë të gjithë njerëzve që kishin nevojë për meshtarin, Gjon Nepomuçeni Neuman e la krejt pas dore kujdesin për vetveten. Nisi të flinte pak, të hante edhe më pak. Shpesh herë ushqehej vetëm me bukë e ujë, sa për të mbajtur gjallë shpirtin. Po atij kështu i pëlqente, sepse e ndjente veten të realizuar vetëm duke jetuar në atë mënyrë që Shën Pali Apostull e kishte përshkruar në letrën e tij të dytë drejtuar të krishterëve të Korintit: “Udhëtime të panumërta...rreziqe ndër qytete...rreziqe ndër shtigje e shkreta...

Lodhje, kundërshtime, uri e etje”. E një jetë e tillë nuk do të vononte të jepte frytet e veta shpirtërore.

Hyri në urdhrin e Redentoristëve dhe në vitin 1825 papa Piu IX e emëroi ipeshkëv të Filadelfias. Ipeshkvi i ri do t’u printe meshtarëve e besimtarëve me shembullin e jetës personale. Dha një kontribut të jashtëzakonshëm për riorganizimin e dioqezës. Qe i pari që organizoi sistemin shkollor dioqezan e rriti numrin e shkollave katolike në dioqezë nga një deri në dyqind. I pranoi Motrat Skolastike të Zojës së Bekuar për t’u përkujdesur për të edukimin e të varfëve e të fëmijëve jetimë. 

Ishte ipeshkëv popullor e për këtë u kritikua shumë prej grupeve të ndryshme antikatolike. Në Filadelfia prelati ngriti pesë Kisha e filloi ndërtimin e Katedrales. Iu kushtua në mënyrë të posaçme formimit shpirtëror të të rinjve. Mbeti njeri i doktrinës, njeri i Zotit në shtegtim drejt njerëzve. E ashtu vdiq: në shtegtim, derisa fama e shenjtërisë së tij përhapej kudo e mbështetur edhe me mrekulli që Zoti kryente me ndërmjetësinë e tij. Vdiq në moshën 48 vjeç më 5 janar 1860, u shpall shenjt  në vitin 1977 nga papa Pali VI.

05 janar 2026, 09:21