Kosovë: fitore e thellë e partisë Vetëvendosje, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare
R. SH / Vatikan
U zhvilluan më 28 dhjetor në Kosovë zgjedhjet parlamentare, të dytat brenda vitit. Sipas rezultateve paraprake, deri tani që janë numëruar 99,2% e votave, kryeson partia “Vetvendosje” (VV) e ish-kryeministrit Albin Kurti, e cila ka fituar 49,3% të votave, drejt formimit të qeverisë i vetëm. Pas saj, renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21%, dhe e treta vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 13,59%. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5,6% të votave.
Nga tre partitë serbe që ishin në listë, fituese doli Srpska Lista, formacioni politik më i rëndësishëm i serbëve në Kosovë, duke marrë 4,7% të votave dhe duke fituar kështu plotësisht të dhjetë vendet në parlament që i përkasin pakicave etnike, të parashikuara nga ligji në Kosovë.
Në përgjithësi pjesmarrja në votime ka qenë 44,9% duke shënuar rritje në krahasim më votimet e shkurtit të kaluar kur nuk e kaloi 41%.
Ndonëse për formimin e qeverisë së re nevojiten 50% e votave dhe 61 vende, kryetari i Vetvendosjes Albin Kurti, sipas analistëve, do të arrijë të formojë kabinetin e ri kësaj here ndoshta edhe me ndihmën e deputetëve që janë në pakicë.
Detyrat e qeverisë së re, të mbartura nga viti që po kalon, kanë të bëjnë kryesisht me problemet ekonomike në vend si edhe me përtëritjen e besimit të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës te kabineti i ri qeveritar. Politika tani ka për detyrë të promovojë stabilitetin shoqëror, rritjen ekonomike dhe reformat në vend.
“Pas situatës së ngërçit politik të pasuar nga zgjedhjet e shkurtit 2025, ‘presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit të ri dhe të qeverisë së re dhe të vazhdojmë dialogun tonë me autoritetet’. Kështu thuhet në një deklaratë të përbashkët të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos. ‘Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet për zbatimin e reformave shumë të nevojshme të lidhura me BE-në’, e cila ‘merr parasysh pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe të partive të tyre politike në zgjedhje. Procesi zgjedhor ka dëshmuar një angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike’, shpjegojnë ato”.