Kërko

Xhavit Beqiri: dashuria, dimension qenësor i Shën Nënë Terezës

Libri 'Porositë e Shën Nënë Terezës për ne' me rastin e 45- vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979, i autorit dom Lush Gjergji, i propozon lexuesit çdo ditë një porosi, dashurie, jo imponuese, kurrsesi qortuese apo kërcënuese, përkundrazi si frymëzim nga shembulli dhe dëshmia e jetës dhe veprës së Nënë.Nënë Tereza

R.SH. / Vatikan

Kohëve të fundit është botuar libri  me titullin 'Porositë e Shën Nënë Terezës për ne' me rastin e 45- vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979, përgatitur nga dom Lush Gjergji, i cili sjell 45 njësi të ndryshme duke përmbledhur 45 vite që kanë kaluar prej marrjes së çmimit Nobel për Paqe nga Nënë Tereza, duke propozuar çdo ditë një porosi dashurie, jo imponuese, kurrsesi qortuese apo kërcënuese, përkundrazi një frymëzim nga shembulli dhe dëshmia e jetës dhe veprës së Nënë Terezës. Qëllimi i autorit është që figura e Nënë Terezës të jetë frymëzim në jetën personale, publike e kulturore. Mbi veprën e meshtarit të dioqezës Prizren-Prishtinë, dom Lush Gjergjit 'Porositë e Shën Nënë Terezës për ne', prezantuar në Romë më 16 dhjetor, biseduam me Prof. Xhavit Beqirin. Ta dëgjojmë:

Bisedë me prof. Xhavit Beqiri

Recension i Prof. Xhavit Beqirit për librin 'Porositë e Shën Nënë Terezës për ne':

DASHURIA – LAJTMOTIV I POROSIVE TË SHËN NËNË TEREZËS

(Don Lush Gjergji, Porositë e Shën Nënë Terezës për ne, Drita, Prishtinë, 2024.)

Një pjesë të veprimtarisë së tij të gjatë dhe të begatshme jetësore e krijuese, Don Lush Gjergji ia ka kushtuar njohjes, studimit dhe ndriçimit të figurës së Shën Nënë Terezës. Si askush tjetër deri më sot, Don Lushi arriti ta kuptojë dhe ta interpretojë thelbin e botës shpirtërore të Shën Nënë Terezës, të kësaj bije të urtë shqiptare, e cila me dashurinë unike për Zotin dhe për njeriun u bë ikonë e dashurisë universale.

Dom Lushi e vizitoi nga afër, e pa dhe e njohu përditshmërinë e saj në mesin e më të mjerëve të Kalkutës, ndaj ai është më i thirruri nga të gjithë të dëftojë për jetën, dashurinë, dëshminë dhe përshpirtërinë e saj. Shën Nëna Terezë, sipas Don Lush Gjergjit, është shembull, frymëzim, dëshmi e dashurisë së dyfishtë: për Zotin-Dashuri dhe Vëllanë-Njeri.

“Jeta dhe vepra e saj madhore tregon lidhshmërinë, harmoninë dhe pandashmërinë mes Zotit dhe Njeriut, fesë dhe dashurisë, pasqyron atë dhe na fton të gjithëve ta imitojmë. Ajo është përmbledhja më e bukur e dashurisë vepruese, flijuese dhe dhuruese në të mirë dhe në dobi të të gjithëve, duke na mësuar dhe frymëzuar që ta mësojmë artin e jetës, dashurinë, nëpërmjet dialogut ekumenik dhe ndërfetar, pa dallime dhe përjashtime”, shkruante këtu e dymbëdhjetë vjet më parë Don Lush Gjergji në fletushkën Katedralja dhe Shenjtërorja “Nëna Tereze” në Prishtinë 1 .

Edhe libri 'Porositë e Shën Nënë Terezës për ne' me rastin e 45- vjetorit të Çmimit Nobel për Paqe, Oslo, 10 dhjetor 1979, i autorit don Lush Gjergji e vë në pah pikërisht këtë dimension qenësor të figurës dhe personalitetit të Shën Nënë Terezës: ndërlidhjen e pashkëputshme dhe harmoninë e plotë të dashurisë për Zotin dashuri dhe për vëllanë apo motrën – njeri. Në këtë kontekst, ai citon tri pohime të Shën Gjonit ungjilltar, “në të cilat mbështetej jeta dhe vepra e Shën Nënës Terezë” 2 : Pohimi i parë: “Kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri.” (1 Gjn 4, 8).

Pohimi i dytë: “Frikë në dashuri nuk ka, sepse dashuria e përsosur e përjashton frikën, pse frika e nënkupton ndëshkimin.” (1 Gjn 4, 18). Pohimi i tretë: “Nëse dikush thotë: “E dua Hyjin”, e këndej e urren vëllanë e vet, është rrenacak... Kush e do Hyjin duhet ta dojë edhe vëllanë e vet.” (1 Gjn 4, 19. 21). Dashuria për Zotin tonë, Jezu Krishtin, dhe dashuria për njeriun është lajtmotivi i porosive të Shën Nënës Terezë për ne. Këto porosi, që alfa e omega kanë dashurinë, nuk janë imponuese, nuk janë kurrsesi qortuese apo kërcënuese, përkundrazi ato janë të nxitura nga virtyti, nga dashuria në veprim ose dashuria aktive. “Në tokë nuk mund ta shohim Jezusin, pra, nuk mund t’i shprehim dashurinë tonë. Mirëpo, çdo ditë shohim dhe jetojmë me të afërmit tanë, dhe duhet të bëjmë për ata çka do të bënim për Jezusin po të ishte i dukshëm” 3 , citohet të ketë thënë ajo.

Struktura dhe përmbajtja e librit

Libri “Porositë e Shën Nënës Terezës për ne” ka 45 njësi të ndryshme, që korrespondojnë me 45 vjet nga marrja e çmimit Nobel për Paqe. Duke lexuar titujt e këtyre 45 njësive, ne vërejmë jo vetëm kronologjinë e jetës fizike të Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës, por edhe gradacionin e formimit të saj si personalitet me cilësi e virtyte të jashtëzakonshme njerëzore, të cilat e shndërruan atë gruan e brishtë e shtatshkurtër në personalitet të madh, që u nderua me çmimin Nobel për Paqe dhe u adhurua nga miliona njerëz anekënd botës, madje pa dallim etnie, race e besimi.

Veçojmë: Nëpërmjet dashurisë gjejmë Dashurinë – Jezu Krishtin, Fëmija – Jeta e Zotit, Mëkati më i madh është mungesa e dashurisë, Të varfërit janë urata jonë, Jezusi – Buka e jetës, I krishteri është Tabernakulli i Zotit të gjllaë, Virgjëra Mari – model feje, dashurie dhe dëgjese, Pa Marinë, s’ka Jezus, Kujdesi për të tjerët – fillim i shenjtërisë, Çdo kungim është takim dhe bashkim me Jezusin, Buzëqeshja kushton pak, por dhuron shumë, Thirrja jonë është Jezusi, Puna jonë është dashuria, Ne të krishterët duhet t’i përngjajmë Krishtit etj.

Nëna Terezë, dëshmon Don Lush Gjergji, ka folur pak, por ka vepruar shumë. Mbi të gjitha e ka dëshmuar fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë 4 . Në venerimin e tij, ajo ishte kontemplative, vëzhguese e meditative, por njëkohësisht edhe aktive, vepruese. Disa nga thëniet e saj, të cilat biografi më i mirë i saj i cilëson si thesare, janë kuptimplota e domethënëse për secilën kohë e për mbarë njerëzimin”. “Pa falje nuk ka as dashuri.” / “Dhurata më e bukur: falja” / “Njeriu më i rrezikshëm: rrenacaku.” / “Mbrojtja më e mirë: optimizmi.” / “Fuqia më e madhe: feja.” / “Gjëja më e bukur në jetë: dashuria.” / “Nevoja më e madhe: Zoti.” / “Rreziku më i keq: vetmia.” / “Mundësia më e madhe: bashkimi.”

Don Lushi, në artikullin 26, Thirrja jonë është Jezusi, veçon tri fazat kryesore të jetës së Gonxhe Bojaxhiut, Shën Nënës Terezë. Këto faza Don Lushi i ndan kështu: Goxhe Bojaxhiu (1910 – 1928), Motra Tereze e Loretos (1929 – 1950) dhe Nëna Terezë – Misionare e Dashurisë (1950 – 1997). Ai i gërsheton këto tri periudha jetësore me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA. 

Në periudhën e parë, Goxhnja e re është e përfshirë tërësisht në betejën e kërkimit të udhës që do të ndiqte në jetë, derisa të përcaktohej përfundimisht për jetën rregulltare. Don Lushi citon: “Më 14 gusht të vitit 1928 u gjunjëzova para truprojës së Zonjës në Letnicë me qiri në dorë dhe me zemër të dhezur, duke u lutur kështu: Më munde o Zot, fitove o Zojë!

Unë kam vendosur që të bëhem motër misionare për t’iu kushtuar Zotit dhe të afërmit, për t’u ndihmuar sidomos të varfërve të botës 5 ” Faza e dytë jetësore e Nënës Terezë, sipas Don Lush Gjergjit, karakterizohej nga veprimi. Ajo, duke iu përmbajtur porosisë së Jezu Krishtit - “S’kam ardhur të më shërbejnë, por të shërbej dhe ta dhuroj jetën time për shëlbimin e botës,” – shpresën e konkretizoi në veprim shërbimi, duke shërbyer me përkushtim e dashuri si infermiere, si profesoreshë dhe si drejtoreshë shkollash të mesme të Motrave të Loretos në Kalkutë dhe në rrethinë.

Nga Feja – Kërkim dhe Shpresa – Veprim, lindi edhe faza e tretë: NËNA TEREZË – MISIONARE E DASHURISË. “Kërkimi (feja), veprimi (shpresa) dhe dhurimi (dashuria) ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo e mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprim-flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Shën Nëna Tereze e Dashurisë” 6 , shkruan Don Lush Gjergji.

Këtë botim e përplotëson dhe e bën edhe më tërheqës intervista e Nënës Terezë dhënë Don Lush Gjergjit, më 10 dhjetor 1979, ditën kur ajo mori çmimin Nobel për paqe, e cila është botuar në revistën “Drita”. Edhe në këtë intervistë, si kudo tjetër, ajo flet me modesti të paparë, duke refuzuar çfarëdo lavdie personale dhe duke ripohuar me forcë se “shpërblimi im më i madh është dashuria ndaj Jezusit”, ndërsa “gjëja më e madhe – dashuria universale, sidomos për ata që vuajnë”.

Gjithsesi, veçmas për ata që duan të përqendrohen te jetëshkrimi i saj, me interes të veçantë janë edhe Të dhëna kryesore të jetës së Nënë Terezës, të cilat janë sistemuar në njësinë 42. Në këtë pjesë, në mënyrë kronologjike janë shënuar të gjitha datat më të rëndësishme të jetës dhe të veprimtarisë së saj, nga data e lindjes (26 gusht 1910), deri në datën e shpalljes Shenjte nga Papa Françesku, më 4 shtator 2016. Në dy njësitë e fundit, 44 dhe 45, janë evidencuar botimet për Nën Terezën në gjuhën shqipe (gjithsej 60 sosh) dhe veprat e autorit Don Lush Gjergji kushtuar Nënës Terezë.

Në vend të përfundimit...

Ndonjëherë më kaplon njëfarë trazimi, sepse më duket se, veçmas ne shqiptarët, nuk jemi shumë të ndërgjegjshëm për privilegjin e madh që na ka dhënë Zoti, duke na e dhuruar një bijë e një misionare të tillë si Shën Nënë Tereza. Mbase, në këtë mungesë vetëdijeje, në këtë lehtësi (mos)kuptimi e (mos)pranimi ka diçka më të lartë, më të mistershme?! Sepse, siç dëshmonte Luka, 4:24: “Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk është i mirëseardhur në vendin e vet”.

Duke qenë pjesë e gjakut tonë, ne e marrim si të mirëqenë faktin se ajo, Gonxhja jonë, ishte njëra nga ne, prandaj edhe tregohemi disi më neglizhues për t’i kuptuar porositë e saj, për të mësuar prej shembullit të saj. Megjithatë, jemi pa kaq fatlumë e të privilegjuar që kemi një njeri të denjë për mësimet e porositë e saj, Don Lushin Gjergjin, i cili me devocion të rrallë punoi gjatë për t’ia rrëfyer botës figurën e papërsëritshme të misionares së dashurisë, Shën Nënës Terezë, e cila me besim, me virtyt e me këmbëngulje titanike u bë shembull i jashtëzakonshëm i jetës, i punës dhe flijimit për Zotin e për Njeriun.

Gonxhe Bojaxhiu, një vajzë shqiptare e Shkupit, me prindër nga Kosova, u bë drita e shpresës dhe e besimit për mijëra të varfër e të braktisur në Kalkutë e kudo në botë. Zoti, pra, na ka bekuar duke na e dhënë një bijë si Shën Nëna Terezë. Porse, po ashtu, Zoti na ka bekuar ne shqiptarëve duke na e dhënë edhe një njeri si Don Lush Gjergji, i cili, në shëmbëllim me të, ka qene gjatë gjithë këtyre viteve një pishtar i ndezur në errësirën e kohës, për ta ndriçuar figurën e Shën Nënës Terezë dhe, nëpërmjet saj, për të na paraqitur para botës e para Hyjit në dritën e vërtetë: të mohuar nga ata që na e ndaluan Zotin, por të pathyeshëm në besimin e rikthimit përfundimtar në bashkësinë e popullit të tij të zgjedhur.

 David Beqiri

22 dhjetor 2025, 09:29