Kërko

Një ndërtesë e shkatërruar gjatë një sulmi ajror rus në Kiev (ANSA) Një ndërtesë e shkatërruar gjatë një sulmi ajror rus në Kiev (ANSA)

Ukraina, Trump optimist pas bisedimeve me Zelenskyn dhe Putinin

Një hap i ri diplomatik përpara për të rivendosur paqen në zemër të Evropës. Presidenti amerikan mendon për një marrëveshje brenda dy javësh pas takimit me homologun e tij ukrainas dhe bisedës telefonike me udhëheqësin e Kremlinit. Por Moska përsërit: "Asnjë armëpushim nuk është i mundur pa dorëzimin e territoreve të Donbasit".

R.SH. / Vatikan

"Të dy e duan marrëveshjen; jemi shumë afër". Presidenti amerikan Donald Trump duket se po sheh fundin e luftës në Ukrainë, pas takimit të djeshëm në Mar-a-Lago, Florida, me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili foli për përparimin e konsiderueshëm dhe bisedën telefonike që zgjati mbi një orë me udhëheqësin e Kremlinit Vladimir Putin.

Kapitujt e lojës diplomatike

Thuhet kështu, por çështjet kritike mbeten ende për t'u zgjidhur: duke filluar me fatin e rajonit Donbas, të pretenduar nga Moska, por për të cilin presidenti ukrainas nuk tregon shenja se do të dorëzohet. "Për t'i dhënë fund konfliktit", deklaroi Kremlini, "Kievi duhet të marrë vendim të guximshëm dhe të përgjegjshëm në lidhje me territoret".

Një kapitull tjetër: e ardhmja e termocentralit bërthamor Zaporizhia. Trump dhe Zelensky njoftuan vazhdimin e bisedimeve në janar, me pjesëmarrjen e udhëheqësve evropianë, por vetë presidenti amerikan pranoi: "Është  çështje shumë e ndërlikuar", ndërsa siguroi se Ukraina do të ketë garanci "të forta" në rast të një plani paqeje dhe se ato do të përfshijnë Evropën.

Konflikti në terren

Ndërkohë, Moska vijon sulmet: katër vetë u vranë gjatë fundjavës, ndërsa një bastisje në rrjetin elektrik të Kievit la një të tretën e popullsisë së kryeqytetit ukrainas pa ngrohje. Ndërkohë, gjatë natës shpërthimet tronditën aeroportin ushtarak Khanskaya, pranë qytetit jugor rus Maykop, sipas gazetës së pavarur Astra, duke cituar banorët vendas. Ministria ruse e Mbrojtjes më vonë pretendoi se kishte rrëzuar 89 dronë ukrainas.

29 dhjetor 2025, 17:31