Sydney, sulm terrorist gjatë festimeve të Hanukkah
R.SH. / Vatikan
Fillimisht u dukën si fishekzjarre në "festivalin e dritave" të judaizmit, por më pas nisi paniku. Njerëzit ikën për të shpëtuar, por disa prej tyre u vranë gjakftohtësisht. Kjo ndodhi në plazhin e famshëm Bondi të Sydney-t, ku mbi 2,000 njerëz ishin mbledhur për festimet e Hanukkah. Të paktën 12 vetë u shpallën të vdekur nga policia e Uellsit të Ri Jugor, e cila nxitoi në vendngjarje. Nga njëzet e nëntë persona që u plagosën, disa u dërguan në spital, në gjendje të rëndë. Një sulmues është i vdekur, tjetri, nën kujdes të vazhdueshëm, ndërsa hetuesit besojnë se sulmuesi i tretë ka të ngjarë të jetë në arrati. Sipas dëshmitarëve, dy burra dolën nga një automjet në Campbell Parade dhe hapën zjarr. Ishin të veshur me të zeza, me fytyrat e mbuluara dhe me pushkë gjysmëautomatike. Në fotografitë e shtypit duken plumba të shumtë që bien përdhe. Rabini i Sidneit, Eli Schlanger, është ndërmjet dy viktimave, së bashku me dy oficerë.
Kryeministri Minns: zemra jonë kullon gjak
"Bashkësia hebraike është e tmerruar - tha Jeremy Leibler, president i Federatës Sioniste të Australisë - ne jemi në gatishmëri të lartë". "Zemrat tona rrjedhin gjak sonte për bashkësinë hebraike australiane- u tha gazetarëve Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns. "Mundem vetëm ta imagjinoj dhimbjen që provojnë të afërmit tanë, ndërsa shohin të dashurit e tyre të vrarë në këtë festë të lashtë të rezistencës dhe të kujtimit"- shtoi ai - Bashkësia ndërkombëtare e dënoi njëzëri këtë shëmtim.
"Lajme thellësisht shqetësuese nga Australia," shkroi Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer në X, duke u shprehur ngushëllimet e tij atyre që u prekën nga ngjarja, të cilën ai e quajti "akt i tmerrshëm".
Edhe udhëheqësit e krishterë e myslimanë e dënuan aktin, duke u bashkuar në lutje për viktimat. "Ky është çasti kur të gjithë australianët, duke përfshirë edhe bashkësinë myslimane, duhet të bashkohen me dhembshuri dhe solidaritet"- kështu u shpreh Këshilli Kombëtar i Imamëve Australianë në një deklaratë.
Të bashkuar, kundër antisemitizmit
"Fakti që ky sulm ndodhi në fillim të Hanukkah, nuk është rastësi: është festë, që kremtohet në hapësira publike. Ndezja e dritave nuk është gjest privat, por pohim i dukshëm i identitetit dhe i lirisë.
Sulm në këtë kohë do të thotë sulm pikërisht ndaj kësaj ngjarje: kundër pranisë hebraike, të drejtës së hebrenjve për të jetuar lirisht, pa pasur nevojë të fshihen", deklaroi në një mesazh Bashkimi i Hebrenjve të Rinj të Italisë.
"Përballë një rritjeje alarmante të akteve antisemite në të gjithë botën, ne përsërisim se lufta kundër urrejtjes nuk është betejë vetëm për komunitetin hebraik, por përgjegjësi kolektive".