Sudan: 10.000 të tjerë të zhvendosur nga dhuna në Darfur dhe Kordofan
R.SH.– Vatikan
Janë mbi 10.000 persona të detyruar të ikin nga shtëpitë e tyre në Darfurin verior dhe në Kordofanin jugor për shkak të valës së fundit të dhunës në Sudan. Alarmi u dha dje nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (OIM). Sipas agjencisë së OKB-së, nga e enjtja deri të premten e javës së kaluar, mbi 7.000 banorë lanë qytetet Kernoi dhe Umm Baru në Darfurin verior, pranë kufirit me Çadin, dhe midis të mërkurës dhe të premtes, rreth 3.100 persona u larguan nga Kadugli, kryeqyteti i Kordofanit jugor, i rrethuar nga paramilitarët e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), në luftë që nga prilli i vitit 2023 kundër ushtrisë së Khartoum-it.
Përparimi në qendër-jug
Pikërisht në zonën e Kadugli-t, ku në nëntor u shpall zia e bukës, forcat sudaneze sulmuan dje me dronë pozicionet e paramilitarëve në Borno, rreth 40 kilometra larg qytetit, me qëllim frenimin e përparimit të tyre në qendër-jug të vendit. Pak orë më parë, RSF-ja, e cila në tetor kishte pushtuar El Fasher-in, kryeqytetin e Darfurit verior, ka njoftuar rrëzimin e një avioni pa pilot të ushtrisë.
Emergjenca humanitare
Lufta në Sudan ka shkaktuar tashmë të paktën 150.000 të vdekur dhe mbi 13 milionë të zhvendosur e refugjatë — në një bilanc të vlerësuar nga organizata të ndryshme joqeveritare dhe eksponentë të shoqërisë civile, por gjithsesi i vështirë për t'u verifikuar për shkak të pasigurisë së rëndë në terren — ndërsa më shumë se gjysma e 50 milionë banorëve është e detyruar të përballet me nivele të rënda të pasigurisë ushqimore, sipas Kombeve të Bashkuara: vetëm këtë vit mbi 17 milionë njerëz kanë marrë ndihma humanitare emergjente.
Një ekip i OKB-së në El Fasher
Ndërkohë, një ekip i parë i Kombeve të Bashkuara ia doli të mbërrinte për pak orë në El Fasher. Civilët që mbetën pas pushtimit të qytetit nga RSF-ja, pas 500 ditësh rrethimi, jetojnë në «kushte të padenja dhe të pasigurta», deklaroi për shtypin ndërkombëtar koordinatorja humanitare e Kombeve të Bashkuara në Sudan, Denise Brown. Njerëzit ndodhen «në situata jashtëzakonisht të pasigurta: disa janë strehuar në kushte shumë rudimentare, nën mushama plastike, pa shërbime higjienike dhe pa ujë», shpjegoi ajo, duke folur për një qytet që është bërë «fantazma e vetvetes».