2025.02.07 Vetrate nelle Chiese

Shenjtorët e javës 28 dhjetor – 4 janar

E diel më 28 dhjetor, Kisha katolike kremton festёn e Familjes Shenjte tё Nazaretit. Familja e Marisë, Jozefit dhe Jezusit është modeli i familjes së krishterë. Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore

R.SH. - Vatikan

E diel më 28 dhjetor, Kisha katolike kremton festёn e Familjes  Shenjte tё Nazaretit. Familja e Marisë,  Jozefit dhe Jezusit është modeli i familjes së krishterë. Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore. 

Gjithnjё mё 28 dhjetor, kalendari kishtar përkujton kishtar përkujton Fëmijët martirë të Pafajshëm, të mbytur nga Herodi, në përpjekjen për të zhdukur Krishtin Foshnje. Fëmijët e vrarë nga Herodi i japin dëshmi Krishtit jo me fjalë, por me gjak. Sipas Ungjillit, ishin të gjithë nën 2 vjeç. Lanë pas një vazhdë gjaku, që nuk mund të mos na sjellë ndërmend të pafajshmit e sotëm, të vegjlit e dhunuar nga luftërat e interesat e të rriturve. I shohim përditë në ekrane, duke luajtur në mesin e rrënojave të luftës, duke përdorur gropat e hapura nga bombat si pishina, pasi i mbushin me ujë, sepse edhe në mesin e plumbave, fëmijët duan të argëtohen.

Tё hёnёn më 29 dhjetor,  kalendari kishtar përkujton shën Tomën Becket, ipeshkëv e martir dhe shën Davidin.  Shën Toma Beketi u lind në Londër nga një tregtar i pasur dhe u bë kancelar i mbretit të Anglisë Henriku II, pastaj këshilltar dhe i besuari i tij. Kancelari i shkëlqyeshëm i mbretit u zgjodh udhëheqës shpirtëror i të krishterëve të Anglisë, u shugurua meshtar e ipeshkëv, por mbreti, që e kishte pasur mik, u bë armiku i tij. Tomas Beket u martirizua në katedralen e Londrës, i vrarë me shpatë para altarit. Ndërroi jetë duke thënë: “E pranoj vdekjen për Krishtin dhe për Kishën”.

Tё martën më 30 dhjetor, kalendari kishtar pёrkujton shën Feliçin I, papë e shën Xhokondon. Në errësirën e Nazaretit, Jezusi Foshnje zhvillohet e rritet, kalon etapat dhe rrethanat e gjendjes së përditshme të jetës, duke shenjtëruar të gjitha momentet e jetës njerëzore.

Të mërkurën më 31 dhjetor, kalendari kishtar pёrkujton shën Silvestrit I, Papë. Jetoi në periudhën ndërmjet fundit të përndjekjes së të krishterëve dhe fillimit të paqes kostandiniane. U bë ipeshkëv i Romës në vitin 314 dhe e drejtoi Kishën për njëzet vjet. Nën papnimin e tij u kremtua Koncili Ekumenik i Nicesë në vitin 325, organizoi jetën e Kishës së Romës dhe mbështeti ndërtimin e bazilikave të para. Vdiq në vitin 335 dhe varrimi bë më 31 dhjetor.

Mё 31 dhjetor bie nata e Vitit të Ri, e tё gjithё i këndojmë lavde Zotit në qiell, duke e falënderuar Hyjin e Gjithëpushtetshëm, me anë të lutjes sё “Te Deum”-it, pёr tё gjitha tё mirat dhe duke kërkuar tё na mbrojё nga çdo e keqe e tё na shpёtojё nga koronavirusi.

Tё enjten mё 1 janar, ditёn e parё tё Vitit tё ri, bie Solemniteti i Marisё sё Shejtnueshme, Nënë e Zotit, po mё 1 janar bie edhe Dita Botërore e Paqes. Maria e Shejtnueshme, Mbretëreshë e Paqes, është nëna e çdo njeriu që lind në Hyjin dhe Nëna e Kishës. Bashkë me Kishën Lindore Marinё e nderojmë si “Përherë Virgjër, të shpallur solemnisht Nënë e shejtnueshme e Hyjit nga Koncili i Efesit, me qëllim që Krishti të njihej, në kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë, si Bir i Hyjit dhe Bir i Njeriut”.

Të premten më 2 janar, kalendari kishtar pёrkujton shën Bazilin e Madh dhe shën Gregorin Nazianxeni, ipeshkvij e dijetarë të Kishës.  Shën Bazili u lind në vitin 330 në Cezarenë e Kapadokisë nga prindër të shenjtë. Mori një edukatë letrare të thellë dhe jetoi me virtyt. Vendosi të përqafonte jetën heremitike, por në vitin 370 u bë ipeshkëv i qytetit të vet. Theksoi pa u lodhur temën e dashurisë, sidomos si angazhim për vëllezërit në nevojë. Luftoi kundër arianëve dhe shkroi vepra të shkëlqyeshme, veçanërisht rregullat murgare, që ndiqen edhe sot e kësaj dite nga shumë murgjër lindorë. Vdiq i varfër, siç edhe jetoi, në vitin 379. Ndër miqtë e parë e më të çmueshëm të Shën Bazilit gjejmë Shën Gregorin e Naxianxit. E nxisnin njëri-tjetrin për të ushtruar virtytin e për të zgjeruar dijen. Edhe Gregori u lind në vitin 330, por jetoi më gjatë se Bazili. U shugurua prift e pastaj ipeshkëv i Kostandinopojës, por, për shkak të ndasive që e pllakosën kishën e tij, u tërhoq në Naxianx, ku ndërroi jetë në vitin 390.

Të shtunën mё 3 janar, Kisha katolike romake  kremton Emrin e Shenjtë të Jezusit. Kjo festё u nderua dhe lëvdua nga Kisha qysh në shekujt e parë, por vetëm në shekullin XIV u zhvillua kulti liturgjik. Shën Bernardini, me ndihmën e vëllezërve të vet, e përhapi shumë këtë devocion, që më në fund u bë festë liturgjike. Në vitin 1530 Papa Klementi VII e autorizoi urdhrin françeskan të recitonte Shërbesën e Emrit të Shenjtë të Jezusit. Gjon Pali II e vendosi edhe një herë këtë festë më 3 janar në Kalendarin Romak.

Të dielën e ardhshme më 4 janar, Kisha katolike do tё kremtojё tё Dielën e Dytë pas Krishtlindjes. Gjithnjë më 4 janar, kalendari kishtar përkujton shën Anxhelën nga Folinjo, 1248-1309. Përjetoi disa herë çaste mistike dhe iu përkushtua veprimtarisë apostolike, sidomos ndihmës ndaj të gërbulurve. Pasi i vdiqën e bashkëshorti dhe fëmijët, u dha të varfërve gjithçka pati dhe hyri Urdhrin e Tretë Françeskan. Falë shkrimeve të saj të thella, është quajtur “mjeshtre e teologjisë.

28 dhjetor 2025, 09:34