Kërko

Tregu i Vjenës për Krishtlindjet, një nga më të famshmit në Evropë, hapet Tregu i Vjenës për Krishtlindjet, një nga më të famshmit në Evropë, hapet

Nata e Vitit të ri në reflektimin e të Lumit Dom Lazër Shantoja

R.Sh. / Vatikan

Sonte në këtë natë të ndërrimit të viteve Kisha Katolike kremton festën e Shën Silvestrit Papë. Sipas traditës, të gjitha familjet festojnë bashkë ose në shoqëri këtë mbrëmje. E megjithatë ka njerëz të cilët, në një natë si kjo ndjejnë mbi shpatulla barrën e rëndë të vetmisë, posaçërisht, emigrantët, të cilëve u mungojnë të afërmit por edhe shokët, miqtë e dashamirët.

Kështu ndjehej edhe i Lumi Dom Lazër Shantoja, emigrant politik, në vitin 1928 në Vjenë. I përfshirë drejtpërdrejtë në Lëvizjen e Qershorit 1924, mbas kthimit të Zogut në pushtet ishte larguar jashtështetit.

Në shkrimin «Të vdekun në leje», botuar tek gazeta «Ora e Shqipnisë» dom Lazri u përcjell lexuesve harenë që përjetonte kryeqyteti austriak në atë fund viti por edhe trishtimin që i ngjallte ajo skenë madhështore në zemër:

.... Ishte nata e motmotit të ri. Silvester! Vjena ishte n’ethe. Njizet e tri teatrat, nji qind e shtatëdhetë e mâ kinematografat, pêsë Varjeté-at, gjashtëmëdhetë Cabare-at, katerdhet e tri Baret, katerdhetë e nji kafe-koncertat e përnatshme kishin shpallun me kohë programet e veçanta të tyne. Sensacjone, premjera, jazzbandi n’Oper... lojna, balle, specjalitete të ndryshme. Shkumbë shampanje mbi të gjitha...

Në mesnatë do t’u fikshin pak të tana dritat. Ai terr simbolizonte vdekjen e vjetit të vjetër. N’ata pak minuta terri të tanë Vjena do t’ishte nji puthje e vetme. Me mâ të bukrin shêj dashtnije kjo botë fillon vjetin e ri.

Ndërkohë, emigrantit politik, të lumit Lazër Shantoja i dalin parasysh fytyrat e shokëve e miqve të idealit, dëshmorë të luftës politike që zhvillohej në atdhe.

«Më duelen para porsi në nji vizjon të kjarët skeletat e shokvet qi pushoshin nên dhe: nên dhe t’huej... e shokvet të vramun nga dora e sikarvet, e shokvet të vdekun në sallat e spitaleve, e shokvet të grabitun nga dora dhe fati. Vjetin e ri e prita tue fjetë... don me thanë se tue fjetë i vûna kapak dhe të vjetrit.»

E megjithatë, ndonëse me tone të fuqishme hipokondrie, prapseprap, Shantoja gjen mënyrën për t’a mbyllur këtë reflektim për vitin e ri me një citim ironik të poetit Heinrich Heine: «U uroj pak mênd të çmendunvet e pak poezi të mêçëmvet. Gravet u uroj petka të bukra e burravet shum duresë. Të pasunvet u uroj nji zemër e skamnorvet nji rriskë buk».

31 dhjetor 2025, 17:39