Atë Gjergj Fishta Atë Gjergj Fishta

Atë Gjergj Fishta, ofm, në 85-vjetorin e vdekjes

Atë Gjergj Fishta, figurë e madhe e Kombit dhe Kishës shqiptare, në përvjetorin e vdekjes (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940).

R.SH. / Vatikan

Si sot, më 30 dhjetor 1940, në një mot të acartë ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës, Atë Gjergj Fishta, françeskan, i rrethuar nga përkujdesi i mjekëve, i vëllezërve të tij françeskanë e nga banorët e qytetit që pyesnin vazhdimisht rreth gjendjes së tij shëndetësore.

Atë Gjergj Fishta kishte lindur në Zadrimë, ose siç quhej në Mesjetën tonë, në Sapë, më 21 tetor 1871. Kur ishte fare i ri, Etërit françeskanë e dërguan për studime në Bosnje, sepse atje ishte më e lehtë për këta rregulltarë duke qenë se françeskanët në Shqipëri ishin kustodie e Raguzës/Dubrovnikut qysh në Mesjetë, bashkë me kuvendet e Bosnjës, dhe lidhjet me ta ishin të qëndrueshme.

Vitet e studimeve atje e poqën fratin e ri, i cili mësoi e përsosi jo vetëm italishten e serbo-kroatishten por edhe latinishten e greqishten e vjetër. Ajo periudhë la gjurmë të thella në formimin e tij intelektual e fetar. Në kuvendet e Livnos dhe të Kreshevos mësoi të vlerësonte letërsinë kroate, e serbe, mësoi vlerën e shkrimarëve të rilindjes kroate e malazeze si Ivo Mazhuraniq, Ljudevit Gaj dhe Petar Petroviq Njegosh, duke ua njohur meritat por edhe duke i vështruar me sy kritik. Ishte një periudhë kur administrata austro-hungareze, pas Traktatit të Shën Stefanit (1878) qeveriste Bosnjën dhe Hercegovinën dhe kishte ndërmarrë një fushatë qytetërimi për ato treva të Ballkanit, duke botuar revista shkencore si «Glasnik», ku shkëlqenin pena të njohura si Konstantin Jireçeku, Milan Sufflay, Ludwig Thalloczy e më vonë Karl Patsch e Kamilo Praschniker. Turra në lojë ishte vetë historia dhe fati i popujve.

Ky interesim i botës së qytetëruar për këto treva e nxiti dhe e frymëzoi edhe Atë Gjergj Fishtën duke përcaktuar edhe linjat e zhvillimit politik, moral, etik e shoqëror të një Shqipërie që ende nuk e kishte shpallur pavarësinë. Pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, më 1913, Atë Fishta nisi të botonte revistën «Hylli i Dritës», duke e pagëzuar këtë organ me atributin e Virgjërës Mari: «Ylli i Mëngjesit», pajtore qiellore e urdhërit françeskan. Numri i fundit i kësaj reviste doli në korrik të vitit 1944, duke u shndërruar në një tribunë ku u shpalosën ide dhe ideologji të të gjithë intelektualëve të mirfilltë shqiptarë, rreth formimit njerëzor, qytetar, moral dhe etik të një shteti të ri siç ishte Shqipëria. Pas një ndërprerje të gjatë, revista nisi të dalë prap nga shtypi në vitet ’90, dhe rrugëtimi i saj vijon ende sot kësaj dite.

Pa u zgjatur tek prodhimtaria e tij e bollshme letrare apo kryeveprat si «Anzat e Parnasit» apo «Lahuta e Malcisë» , po përmendim shkurtimisht se kontributi i Atë Fishtës prek shumë fusha që përfshijnë jetën arsimore dhe letrare të shqiptarëve siç është Kongresi i Manastirit, ku më në fund u caktua alfabeti që kemi sot. Vend të rëndësishëm zë edhe veprimtaria e tij në jetën politike të vendit siç është pjesëmarrja në Konferencën e Paqes së Parisit (1919), ndihmesa e drejtëpërdrejtë që i dha Opozitës në vitet 1922- 1924 si deputet i Shkodrës, përkrah Luigj Gurakuqit dhe dom Ndre Mjedjës.

Atë natë kur ndërroi jetë Atë Gjergj Fishta, Shqipëria gjendej e përfshirë rishtas në një luftë e cila nuk i përkiste. Vise të tëra të jugut gjendeshin tashti nën bombat e konfliktit italo-grek, gjë që ia helmoi shpirtin këtij françeskani vigan në prag të kalimit në amëshim. Por prap kohë më të liga do të vinin. Me vendosjen e komunizmit në Shqipëri, kuvendi i tij françeskan u shndërrua së pari në burg e pastaj u mbyll. Edhe vetë Atë Fishtës ia dhunuan varrin.

Sot në Kishën françeskane të Gjuhadolit, gjenden pak eshtra që kanë shpëtuar dhe që Etërit françeskanë i kanë varrosur me ceremoni e nderim. Mbi atë varr qëndron gjithnjë në shtizë flamuri i Gjergj Kastriotit, si roje e përjetshme nderi. Kanë kalua shumë mote nga vdekja e tij por Atë Gjergj Fishta vijon të jetojë në zemrat e mendjet e njerëzve. Atij i kushtohen vazhdimisht konferenca, simpoziume, studime dhe ese të autorëve shqiptarë dhe të huaj.

30 dhjetor 2025, 15:53