Më 17 dhjetor kalendari kujton shenjtorët Anania, Mizaeli e Azaria, martirë
R.SH. / Vatikan
Digjet zemra e atij që do, sepse dashuria, si shkrirës, nxjerr në dritë të vërtetën, zbulon thelbin. Me këtë vetëdije, të krishterët përballen me plagë dhe pengesa në jetë: zemra e tyre provohet nga zjarri i dashurisë së Zotit. Këtë lloj prove na e tregon historia e tre shenjtorëve Anania, Azaria dhe Misaeli, ngjarjet e të cilëve janë rrëfyer në librin e Danielit.
Ata ishin djem të Mbretërisë së Judës, të deportuar në Babiloni bashkë me popullin e tyre nga mbreti Nabukodonozori dhe, së bashku me Danielin, ishin dalluar për aftësitë e tyre, sa që mbreti vendosi t'i emëronte administrues të një province.
Emrat e tyre u ndryshuan me emra kaldeas: Danieli u bë Baltazzar, Azaria u bë Abdenego, Anania u bë Shadrak dhe Misaeli u bë Mesak. Megjithatë, kjo nuk i bëri të harronin rrënjët e tyre dhe identitetin e tyre fetar. Kur, pra, mbreti ngriti një statujë dhe kërkoi që të gjithë ta adhuronin, ata refuzuan dhe për këtë arsye u hodhën në një furre të zjarrtë. Por, ndërkohë që ata, të padëmtuar, ngrinin këngë lavdërimi për Hyjin, burrat që ishin ngarkuar me zjarrin u vranë nga flakët e fuqishme. Ishte vetë Nabukodonozori, i habitur, që i shpëtoi ata nga mundimi, duke njohur madhështinë e Zotit të tyre.