Kërko

9 nëntorit 1989 rënia e Murit të Berlinit

9 nëntor 1989 ra Muri i Berlinit, i cili e ndante qytetin në dy pjesë që nga viti 1961, bie simbolikisht dhe fizikisht.

R.SH. - Vatikan

Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se si sot, në mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, ra Muri i Berlinit prej 155 kilometrash, që ndante Gjermaninë Perëndimore nga ajo Lindore, që për ironi të fatit quhej “Demokratike”, pra, ra, duke shënuar fundin e komunizmit e të socializmit, i cili e kishte lënë Evropën me një këmbë. Kështu, kjo ngjarje që është bërë simboli i rënies së komunizmit të Evropë.

Prej atij 9 nëntori të vitit 1989 shumë gjëra kanë ndryshuar jo vetëm në ish-Lindjen komuniste, por edhe në vetë Evropën, e cila ka integruar tashmë në gjirin e Bashkimit Evropian disa nga vendet e ish-bllokut sovjetik. Është domethënëse, që bastioni i fundit i komunizmit në Evropë, Shqipëria. Kështu ky mur ra edhe për Shqipërinë e vazhdon të bjerë sa herë që Vende, apo Popuj fitojnë gjithnjë e më shumë të drejta dhe Evropa bashkohet gjithnjë e më shumë.

Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Gjermania u nda në katër zona ushtarake: franceze, britanike, amerikane dhe sovjetike. Këtë fat pati edhe qyteti i Berlinit. Natyrisht, nën thundrën e sovjetikëve, nga viti 1945 deri në vitin 1961, rreth tre milion njerëz u larguan nga Gjermania Lindore për të shkuar drejt perëndimit të lirë, të sigurtë se do të gjenin një jetë më të mirë. Mendja e sëmurë e komunistëve shpiku ndërtimin e një muri, për të ndalur largimin e gjermano-lindorëve, duke u bërë kështu simbol i mungesës së lirisë së tyre.

Pak pas mesnatës së 13 gushtit 1961, qeveria u dha urdhër më shumë se 40 mijë ushtarëve dhe policëve gjermano-lindorë të bllokonin me tela me gjemba gjithë kufirin, duke lënë vetën 13 pika kalimi për në Berlinin Perëndimor. 10 mijë kilometra tela u shtrinë në perimetrin prej 155 kilometrash të Berlinit Perëndimor. Muri u përforcua herë pas here dhe deri në vitin 1989 ai u bë një kulçedër me 45 mijë blloqe betoni, 259 qen kufiri dhe 302 kulla vëzhgimi.

Në qershor të vitit 1963, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John F. Kennedy vizitoi Berlinin Perëndimor, ku mbajti një fjalim të fuqishëm kundër ngritjes së Murit, një nga çastet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë, e cila shoi jetën e qindra njerëzve, që u përpoqën të kalonin këtë mur me njëmijë mënyra. Sipas të dhënave zyrtare, 270 vetë u vranë duke u arratisur e 3200 të tjerë u arrestuan. 5 mijë vetë arritën të kalonin në Berlinin Perëndimor. Mëse 75 mijë të tjerë u burgosën vetëm sepse mendonin të arratiseshin e, fatkeqësisht, u zbuluan.

Në vitin 1987, një tjetër president i Shteteve të Bashkuara, Ronal Reagan, vizitoi Berlinin, nga ku i bëri thirrje udhëheqësit sovjetik, Mikail Gorbaçov, ta hapte atë portë e ta shembte atë mur. Në tetor të vitit 1989, Gorbaçovi vizitoi Berlinin Lindor me rastin e 40-vjetorit të ndarjes së Gjermanisë dhe i bëri thirrje udhëheqësve gjermano-lindorë të ndiqnin reformat, që ai vetë kishte filluar në Bashkimin Sovjetik.

Më 9 nëntor 1989 në Berlinin Lindor u mbajt një konferencë shtypi. Shefi i medias së Partisë Komuniste, Gynter Shabovski u tha gazetarëve se byroja politike do t’u lejonte njerëzve të shkonin në perëndim. Brenda disa minutash, pas deklaratës së tij, gjermano-lindorët u vërsulën drejt postave të kufirit dhe në mesnatën e 9 nëntorit qindra mijëra prej tyre vërshuan drejt Perëndimit. Rojet u kapën në befasi, askush nuk kishte marrë urdhër për ndonjë veprim. Pas disa orësh ankthi, kur u pa se as trupat sovjetike nuk hapën zjarr, rojet lanë pozicionet ndërsa njerëzit kalonin kufirin. Kujtojmë se 136 persona u vranë, në përpjekje për të kapërcyer murin nga viti 1961 deri më 1989.

Me 09.11.2009 me rastin e 20 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, jezuiti Atë Federiko Lombardi shkruante:
Për rreth 30 vjet, ata që ishin përpjekur ta kapërcenin duke ikur drejt lirisë kishin rrezikuar jetën, dhjetëra e dhjetëra vetë kishin vdekur para syve të tmerruar të dëshmitarëve të rastit. Besonim se burgu i madh i mbrojtur nga ai mur – e më gjerë nga “muri i hekurt” simbolik, që ndante Evropën më dysh – do të rezistonte akoma edhe për shumë vjet. Por, aspiratat e lirisë dhe dobësitë e brendshme të regjimeve, të bazuara mbi një ideologji armike me Zotin e me njeriun, kishin punuar thellë në popujt e Lindjes, duke përgatitur një shembje epokale, e pashoqëruar – fakt ky fatlumë e i rrallë – nga derdhje të mëdha gjaku.

Pa dashur të thjeshtojmë një proces historik jashtëzakonisht të ndërlikuar, na vjen spontanisht kujtimi i rolit të Papës Gjon Pali II, i udhëtimeve të tij në Poloni, e cila kishte mbetur gjerësisht e besnikërisht katolike, dhe i pasojave të tyre në aspiratat e kërkesat për liri të atij populli e të popujve fqinjë. Kur Papa Wojtila i moshuar kalonte më në fund nën Portën e Brandeburgut, jo vetëm Gjermania ishte bashkuar, por Evropa merrte frymë me dy mushkëri, Lindje e Perëndim.Feja e krishterë kishte treguar se kishte kontribuar edhe një herë në bashkimin e në qytetërimin e kontinentit, duke kapërcyer provën e tmerrshme të ateizmit shtetëror.

 Është mirë të kujtohet kjo gjë, sa herë dikush ngul këmbë në reduktimin e kësaj feje në fushën e ngushtë private.Por fatkeqësisht, në botë u ndërtuan e po ndërtohen mure të tjera. Do të vazhdojmë të impenjohemi, duke pritur që të festojmë më në fund, edhe padobinë e shembjen e tyre”.

09 nëntor 2025, 18:03