Ottanta anni dalla bomba atomica su Nagasaki - GALLERY

Nagasaki, film për të kujtuar tmerrin e bombës atomike

"Nagasaki: Në Hijen e Shkëlqimit", shfaqur në Bibliotekën e Filmit të Vatikanit, përkujton tetëdhjetë vjetorin e shpërthimit të bombës bërthamore. Historia tregohet nga Jumpei Matsumoto, regjisor që ia kushtoi punën e tij infermierëve, të cilët i shpëtuan të mbijetuarit në qytetin e shkatërruar japonez.

R.SH. / Vatikan

Një film për të kujtuar tmerrin e bombës atomike. U shfaq dje, 31 tetor, në Bibliotekën e Filmit të Vatikanit. Në Hijen e Shkëlqimit, nga regjisori japonez Jumpei Matsumoto, i kushtohet infermierëve të Kryqit të Kuq të cilët, pas bombardimit atomik të 9 gushtit 1945, i shpëtuan të mbijetuarit në qytetin e shkatërruar. Film i lindur - siç e shpjegoi vetë regjisori, i pranishëm në Romë - nga mësimet e dashurisë së Jezusit dhe nga shenjat ende të dukshme të fragmenteve të bombës bërthamore, të lëna në territor.

Tre Studentë, një Qytet i plagosur: ngjarja e filmit

Historia ndjek tre infermierë të rinj të cilët, pasi shkolla e tyre u mbyll për shkak të bombardimeve, kthehen në familje, në Nagasaki. Jetojnë ditë në dukje paqësore, por që shkatërrohen shpejt nga shpërthimi atomik. Filmi rrëfen kthimin e tyre në punë mes rrënojave, viktimave, plagëve, djegieve, heshtjes dhe lutjeve; një rrëfim i frymëzuar nga kujtimet Nën Hijen e Shkëlqimit – Shënime të Infermierëve të Kryqit të Kuq që ofruan ndihmë për Viktimat e Bombës Atomike, mbledhjet e kujtimeve të infermierëve të përfshirë në përpjekjet e ndihmës.

Rindërtimi i asaj, që nuk u filmua

Duke paraqitur filmin, Matsumoto theksoi brishtësinë dhe, në të njëjtën kohë, forcën e kujtesës: "Kemi shumë foto dhe shumë dëshmi të shkruara të shpërthimit të asaj bombe atomike, por pothuajse asnjë pamje filmike. Mendoj se vepra të tilla mund t'i sjellin ata që i shohin më afër ndjenjave të atyre e që i jetuan ato çaste". Nga mungesa e pamjeve lëvizëse lindi kështu përgjegjësia për ta rikrijuar dhimbjen, dinjitetin dhe kujdesin: "Jam i bindur se të kesh dëshmi ose rindërtime, mund t'i ndihmojnë shikuesit të interesohen shumë për këtë temë tejet të veçantë".

Regjisori kujtoi se iu afrua historisë, e mblodhi edhe kujtime nga të njohurit dhe të afërmit:

"Nuk munda t'i dëgjoja historitë drejtpërdrejt nga gjyshja ime, por dëgjova shumë histori përmes njerëzve të tjerë. Kur e bëra këtë film, u përpoqa të mos përfshija asgjë timen: hulumtova, dëgjova, u përpoqa të kuptoja se çfarë mbeti në kujtimet e njerëzve".

Fotografia e fëmijës së Nagasakit: një vështrim që ende flet

Ndër rrëfimet që frymëzuan reflektimet e regjisorit, është edhe një nga pamjet më të famshme të tragjedisë: portreti i fëmijës që mbante vëllain e tij të vdekur mbi supe, i fotografuar nga Joseph Roger O'Donnell. Pamje që e preku thellë Papën Françesku, duke e nxitur atë, vite më parë, ta riprodhonte në një kartolinë të shoqëruar me fjalët: "Fryti i luftës". "Ajo foto tregon një çast në jetën e fëmijës. U përpoqa ta imagjinoja para dhe pas," shpjegoi Matsumoto.

Besimi, kujtesa, çarmatimi: film që bën thirrje për Paqe

Edhe pse personalisht deklarohet në favor të çarmatimit bërthamor, Matsumoto sqaroi se nuk kishte ndërmend ta shndërronte filmin në një manifest politik. Rrënjët e veprës qëndrojnë diku tjetër:

"Unë jam katolik dhe besimi im ka pasur një ndikim të madh. Nuk mund ta mendosh atë që ndodhi në Nagasaki pa identitetin katolik të atij vendi".

Kjo është arsyeja pse, në prodhimin e këtij filmi, besimi pati "një ndikim të madh", thekson ai.

01 nëntor 2025, 14:49