Kërko

Një pamje me dron tregon Kishën Ortodokse Greke të dëmtuar në Deir el-Zor Një pamje me dron tregon Kishën Ortodokse Greke të dëmtuar në Deir el-Zor

Tre të krishterë të vrarë në Siri

R.SH. / Vatikan

Persona të armatosur të paidentifikuar vranë dje tre të krishterë në provincën e Homsit, në qendër të Sirisë. Kështu bën të ditur Murhaf al-Naasan, kreu i forcave të sigurisë së qeverisë kalimtare siriane, sipas të cilit viktimat janë tre të rinj nga zona. Sulmi ndodhi në fshatin Anaz, Wadi al-Nasara (Lugina e të Krishterëve), në perëndim të Homsit. Mediat lokale njoftojnë se tre anëtarët e komunitetit të krishterë u vranë me armë zjarri para zyrës së kryetarit të fshatit, nga persona të armatosur me motoçikletë.

Në përgjigje të vrasjeve, zyrtarët politikë të zonës njoftuan tërheqjen e të gjithë kandidatëve të tyre nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe shpallën bojkotin e zgjedhjeve që do të mbahen të dielën, pas disa shtyrjesh.

Sirianët do të votojnë të dielën më 5 tetor për të zgjedhur Parlamentin e parë që nga rënia e Bashar al-Assad dhe ardhja në pushtet e milicive Hts të udhëhequra nga presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa. Një hap thelbësor, por që ushqen frikën për përfshirjen, sepse zona të ndryshme të vendit janë të përjashtuara, një pjesë e Asamblesë është tashmë e zgjedhur dhe futet në një kuadër dhune sektare kundër druzëve, alavitëve dhe të krishterëve.

Zgjedhjet - që synojnë të mbyllin 14 vjet luftë - janë indirekte me kolegje rajonale, të përbëra nga gjithsej 6 mijë votues me të drejtë vote, të gatshëm të zgjedhin dy të tretat e parlamentit me 210 vende. Një komitet i emëruar nga Sharaa ka miratuar 1.570 kandidatë. Ndërkohë, disa burime njofttojnë se Assad i ka mbijetuar një tentative helmimi dhe, ditët e fundit, ka lënë spitalin ku ishte shtruar në gjendje "stabile".

03 tetor 2025, 16:25