Kërko

Zoja Rruzare Zoja Rruzare

Me 7 tetor Kisha katolike kremton festën e Zojës Rruzare

Zoja e Bekuar me Rruzaren Shenjte është sinteza e Ungjillit, pasqyron misteret e Jezu Krishtit, Zot e Shpëtimtar. Urata e lashtë e Rruzares Shenjte, na ndihmon të njihemi gjithnjë e më mirë dhe më nga afër me jetën e veprën shpëtimprurëse të Jezu Krishtit

R.SH. - Vatikan

Me 7 tetor Kisha kremton festën e Zojës Rruzare. Urata e lashtë e Rruzares Shenjte, na ndihmon të njihemi gjithnjë e më mirë dhe nga afër me jetën e veprën shpëtimprurëse të Jezu Krishtit. Urata e Rruzares Shenjte është përmbledhje e Ungjillit, pasqyrim i mistereve të Jezu Krishtit, Zot e Shpëtimtar, që të gjithë mund ta lexojnë të gjithë. 

Festa e Zojës Rruzare u themelua nga Papa Piu V për të përkujtuar fitoren e kombeve të krishtera në vitin 1571 në Lepanto kundër flotës turko-islame. Më 7 tetor të vitit 1571 në Lepanto, në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korintit, koalicioni i formuar nga Venediku, Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën të gjitha, ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu Papën Piu V të caktonte një festë falënderimi e përkujtimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores".

Urata e Rruzares Shenjte lindi në vitin 1200 me Shën Domenikun Guzman. Duke qenë shumë i devotshëm ndaj Nënës së Hyjit, themeluesi i Urdhrit të Predikatarëve (Domenikanëve), për t’i ndihmuar të varfrit ta jetonin fenë në Krishtin, shën Domeniku mësoi të meditoheshin misteret e Mishërimit të Jezu Krishtit duke recituar lutjen e të ‘Falemi Marisë’. Në vitin 1716 Kjo festë u shtri në mbarë Kishën universale dhe në vitin 1913 u caktua përfundimisht më datën 7 tetor nga Papa Piu X.

Me këtë festë, Kisha katolike, në një farë mënyre, përmbledh të gjitha solemnitetet e vitit kushtuar Virgjërës Mari. Pra, duke lutur uratën e Rruzares Shenjte ne përshkojmë, së bashku me Zojën Mari, misteret e fesë së krishterë, misteret e jetës dhe veprës së Jezu Krishtit Zot. Pra, mund të themi se Rruzarja është pasqyrim i Ungjillit.

Rruzarja Shenjte, pra, është një libër i mrekullueshëm që të gjithë mund ta lexojnë. Libër që ka vetëm 20 faqe; 20 mistere të fesë së krishterë shkruar nga autorë të pavdekshëm që janë Jezusi dhe Maria, të cilët tregojnë jetën e tyre në atë mënyrë që të gjithë e secili prej nesh të mund ti ri-jetojë, e të mund t'i imitojë në jetën e përditshme.

Rruzarja është një gjetje e madhe e Marisë për ta mbajtur njerëzimin afër vetes e të bashkuar në një familje të vetme në Krishtin Zot e Shpëtimtar. Vet personalisht, Virgjëra Mari u denjua të na mësojë e porositë këtë uratë të përshpirtshme të Rruzares ta lusim çdo ditë. Mos të harrojmë që mjeti e udha më e mirë dhe më e sigurt që na mundëson takimin dhe bashkimin tonë me Zotit, është pa dyshim, urata e Rruzares Shenjte.

Rruzarja është, pra, një uratë për gjithë, e thjeshtë por dhe e thellë. Është lutje kundruese së cilës të gjithë mund t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë, të ditur e më pak të ditur. Rruzarja është lidhje shpirtërore me Zojën Mari për të mbetur të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për t’u sjell si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë” (nga homelia e Benediktit XVI në Meshën në Pompei, 19 tetor 2008).

Rruzarja, pra, është urata më e përzemërt e besimtarëve. Një uratë e mrekullueshme! E mrekullueshme në thjeshtësinë dhe në thellësinë e saj doktrinore e shpirtërore. Gjatë kësaj lutjeje, ne përsërisim shumë herë ato fjalë që Virgjëra Mari dëgjoi nga Kryengjëlli Gabriel e nga kushërira e saj Elizabeta. Me këto fjalë bashkohet e gjithë Kisha. Pas fjalëve "Të Falemi Mari" përshkojmë ngjarjet kryesore të jetës së Jezu Krishtit. Këto ngjarje plotësohen nëpërmjet mistereve të gëzimit, të vuajtjes, të lavdisë e të dritës dhe na bashkojnë me Jezusin përmes - mund të themi- zemrës së Nënës së Tij Mari.

Në të njëjtën kohë, zemra jonë njerëzore mund të përmbledhë në këto dhjetëshe të uratës së Rruzares Shenjte të gjitha ngjarjet që përbëjnë jetën e individit, të familjes, të kombit, të Kishës dhe të njerëzimit mbarë. Ngjarje personale të jetës sonë por edhe të jetës të të afërmit e në mënyrë të veçantë të atyre që i kemi më afër, të atyre që i kemi më për zemër. Kështu me Rruzaren Shenjte rreh edhe ritmi i jetës sonë njerëzore.

 

07 tetor 2025, 09:21