Konferenca: Mbjellja e Paqes: nga Pali VI te Gjon Pali II; trashëgimia që bëhet rrugëtim
R.SH. / Vatikan
Të hënën më 27 tetor, në Senatin e Republikës së Italisë, mbahet një ngjarje me vlerë të jashtëzakonshme simbolike dhe institucionale: Konferenca e Paqes që ripërtërin “Shpirtin e Asizit” Romë, tetor 2025 – Tridhjetë e nëntë vjet pas Ditës Historike Botërore të Lutjes për Paqen të thirrur nga Papa Gjon Pali II në Asizi, më 27 tetor 1986, dhe në gjashtëdhjetëvjetorin e Deklaratës së Koncilit të Dytë të Vatikanit ‘Nostra Aetate’ të shpallur nga Papa Pali VI.
Ngjarja zhvillohet nën Patronazhin e Senatit të Republikës së Italisë. Nisma, e ideuar nga regjisori kosovar Gjon Kolndrekaj, është pjesë e edicionit të IV-të të Ecu Film Fest – Kinema për Dialogun Ndërfetar, në bashkëpunim me Religions for Peace Italia, prodhuar nga CrossinMedia, organizuar nga Tania Cammarota dhe realizuar me kontributin e Institutit San Giuseppe – shkollë private
Festivali, i cili prej vitesh promovon gjuhën e kinemasë si mjet takimi ndërmjet kulturave dhe feve, ripërtërin kështu angazhimin e tij për përhapjen e një kulture paqeje, mirëkuptimi reciprok dhe solidariteti universal.
Konferenca e Paqes lindi me qëllimin e dyfishtë për të kujtuar takimin historik të Asizit – sipas vullnetit të Papa Gjon Pali II, si një moment vëllazërie e dialogu ndërmjet feve – dhe për të reflektuar mbi trashëgiminë shpirtërore, kulturore dhe sociale që ajo ngjarje ka lënë si trashëgimi universale e paqes dhe humanizmit të përbashkët.
Në Konferencë e 27 tetorit në Romë do të marrin pjesë përfaqësues të feve kryesore botërore të pranishme në Itali, duke ofruar kështu një dëshmi konkrete të angazhimit të përbashkët për ndërtimin e urave, për promovimin e dialogut ekumenik dhe ndërfetar, dhe për konsolidimin e një kulture respekti, bashkëjetese dhe pajtimi. Në fund të takimit, si një gjest shumë simbolik, do t'u dorëzohet krerëve fetarë, përfaqësuesve politikë dhe autoriteteve institucionale një bonsai ulliri.