I Lumi dom Shtjefën Kurti, meshtar e martir
R.SH. / Vatikan
Më 20 tetor kalendari i Kishës katolike Universale përkujton të Lumin dom Shtjefën Kurtin, meshtar e martir.
Dom Shtjefën Kurti, lindi në Ferizaj, Kosovë, 24 dhjetor 1898. në Romë. Pas studimeve zë teologjisë, u shugurua meshtar në Romë më 13 maj 1921. Pas shugurimit u kthye në Kosovë ku fillimisht, për rreth 4 vjet e gjysmë, qe sekretar i arqipeshkvit të Shkupit, Imzot Lazër Mjedjës. Pasi u aktivizua për rreth tre muaj në famullinë e Ferizajt, u emërua famullitari i parë i Novosellës së Epërme, deri kur, në vitin 1930, i përndjekur nga ana serbe për shkak të angazhimit të tij për të drejtat e shqiptarëve, u arratis dhe u strehua në Shqipëri.
Dom Shtjefni ishte një personalitet me karakter të fortë, të vendosur dhe të drejtë e ishte gjithashtu njeri i lutjes. Iu desh të jetonte dhe të vepronte në kohë shumë të vështira, para së gjithash në Kosovë, ku Serbia ushtronte një presion të fortë për të asgjësuar shqiptarët e Kosovës.
Në këtë situatë, meshtarët në përgjithësi, e në veçanti Atë Shtjefën Gjeçovi, Dom Shtjefën Kurti, Dom Gjon Bisaku e Dom Luigj Gashi, bënin gjithçka ishte e mundur për të penguar fuqimisht asimilimin e shqiptarëve nga ana e serbëve. Këta meshtarë përndiqeshin nga ana serbe e pas kurthit që iu bë Atë Gjeçovit, që përfundoi në vrasjen e tij, e kuptuan se e njëjta gjë gatuhej nga serbët edhe për ata. Atëherë i shkruajnë Nuncit Apostolik në Beograd, se: “jemi të detyruar ta braktisim, me zemër të thyer, dioqezën tonë, famullitë tona dhe popullin tonë të varfër e të dashur…”.
Pak para mesnatës së datës 2 janar 1930 kalojnë fshehurazi kufirin duke kaluar në Shqipëri. Kur më në fund arrijnë në Tiranë, dom Shtjefni i shkruan Imzot Lazër Mjedjës, i cili ndërkohë kishte kaluar si arqipeshkëv në Shkodër, me këto fjalë: “Shëndoshë e mirë, pak të lodhur, arritëm më 15 janar në Tiranë. Falë Zotit e prej Shenjtes Terezë të Krishtit të Vocërr, të cillës ju patëm porosit, pështuem prej thojve t’armikut, të cilltë edhe në kufi të Shqipnisë na ndoqën me 40 ushtarë…”.
Duke qenë i pamundshëm kthimi i tij në Kosovë, u inkardinua në arkidioqezën e Durrësit nga Imzot Pjetër Gjura, që e emëroi famullitar të Shën Prendës në Zhejë, ku qëndroi për më shumë se dy vjet e gjysmë. Më 5 maj 1930, së bashku me dom Luigj Gashin dhe dom Gjon Bisakun, i dërgon Lidhjes së Kombeve të Bashkuara në Gjenevë një “Memorandum për Shoqërinë e Kombeve mbi situatën e pakicës shqiptare në Jugosllavi”, ku paraqitet në mënyrë shumë të hollësishme situata kritike dhe shumë delikate e shqiptarëve të Kosovës.
Dom Shtjefni nga viti 1929 e vazhdoi misionin e tij meshtarak në Shqiprëi si famullitar në shumë Kisha e vende. Iu desh të përballonte jo pak vështirësi. U arrestua për herë të parë në vitin 1946, me akuzën e bashkëpunimit me Vatikanin dhe me nazifashistët. Në një letër drejtuar Papa Piut XII, dom Shtjefën Kurti përshkroi në detaje persekutimin e zbatuar nga regjimi komunist në Shqipëri.
Pasi vuajti dënimin, rifilloi apostullimin e tij meshtarak dhe e vazhdoi fshehurazi kur, në vitin 1967, të gjitha Kishat u mbyllën me dekret shtetëror të diktatorit komunist. U arrestua sërish për shkak se kundërshtoi plaçkitjen e një Kishe dhe u dërgua në kampin e punës në Lushnjë. Për shkak se pagëzoi një fëmijë fshehurazi, u dënua me vdekje dhe u pushkatua nga regjimi komunist më 20 tetor 1971. I radhitur në listën e 38 martirëve shqiptarë të udhëhequr nga imzot Vinçenc Prennushi, u shpall i Lum në Shkodër më 5 nëntor 2016.
I Lumi dom Shtjefën Kurti, meshtar i shenjtë e martir, kishte devocion të thellë ndaj Zemrës së Krishtit e ndaj Zojës së Këshillit të Mirë. Ajo që përbënte qendrën e jetës dhe të apostullatit të tij, ishte Eukaristia, siç e dëshmon edhe kjo ndodhi. Kur Imzot Pjetër Gjura i dha lejen të kremtonte Meshën, dom Shtjefni i shkroi Imzot Lazër Mjedjës: “Sot më duket se kam lindur për herë të dytë".