Kërko

IZRAEL- PALESTINË-PËRVJETORI KONFLIKTIT IZRAEL- PALESTINË-PËRVJETORI KONFLIKTIT

Dy vjet pas sulmit të 7 tetorit në Sharm el Sheikh, bisedimet vazhdojnë

Dyvjetori i dytë i sulmeve të Hamasit të 7 tetorit 2023 dhe fillimi i luftës izraelite në Gaza shënohet nga presioni ndërkombëtar në rritje për një armëpushim, lirimin e pengjeve ende gjallë dhe hyrjen urgjente të ndihmave humanitare në Rrip.

R.SH. / Vatikan

Dyvjetori i dytë i sulmeve të Hamasit të 7 tetorit 2023 dhe fillimi i luftës izraelite në Gaza shënohet nga presioni ndërkombëtar në rritje për një armëpushim, lirimin e pengjeve ende gjallë dhe hyrjen urgjente të ndihmave humanitare në Rrip. Bisedimet për planin e Trump në qytetin egjiptian të Sharm El Sheikh, diskutojnë detajet e marrëveshjes për një armëpushim, lirimin brenda 72 orëve i 48 pengjeve izraelitë të mbajtur ende nga Hamasi (prej të cilëve 20 janë ende gjallë) në këmbim të 250 të burgosurve palestinezë dhe 1.700 banorëve të Gazës të arrestuar pas 7 tetorit, tërheqjen graduale e ushtrisë izraelite nga Gaza dhe çarmatimin e Hamasit.

Sipas transmetuesit Al Qahera, afër qeverisë egjiptiane, raundi i parë i bisedimeve përfundoi "në një klimë pozitive". Nga ana e tij, Trump deklaroi se ishte "mjaft i sigurt" se do të arrihej një marrëveshje për t'i dhënë fund konfliktit.

Të arrihen sa më shpejt e rezultatet e shpresuara në bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme

Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Leoni XIV shprehu shqetësimin e tij për shfaqjen e urrejtjes antisemite dhe dhimbjen për vuajtjen e popullit palestinez.

«Në këto orë të fundit, në situatën dramatike të Lindjes së Mesme, po bëhen disa hapa të rëndësishëm përpara në bisedimet e paqes, të cilat shpresoj të arrijnë sa më shpejt rezultatet e dëshiruara». Shpresat e Leonit XIV i janë besuar lutjes dhe apelit të bërë gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit të dielën e kaluar, më 5 tetor.

Papa kërkoi «nga të gjithë përgjegjësit të angazhohen në këtë rrugë, të ndalojnë zjarrin dhe të lirojnë pengjet», duke nxitur njëkohësisht «të qëndrojnë të bashkuar në lutje, në mënyrë që përpjekjet aktuale të mund t'i japin fund luftës dhe të na çojnë drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme». Në reflektimin e Papës edhe «shqetësimi për shfaqjen e urrejtjes antisemite në botë, siç u pa fatkeqësisht me sulmin terrorist në Mançester» dhe dhimbja «për vuajtjen e madhe të popullit palestinez në Gaza».

Kardinali Pizzaballa: një faqe e re shprese

Dy vjet pas fillimit të luftës në Gaza, patriarku latin i Jeruzalemit kardinali Pizzaballa u flet besimtarëve të dioqezës së tij: «Çdo jetë e humbur mbetet një skandal në sytë e Zotit. Ne nuk jemi këtu për të thënë fjalë politike, por për të ruajtur shpresën»

Patriarku Latin i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, i ka drejtuar një mesazh të gjatë dhe të përgjëruar dioqezës, me rastin e festës së Zojës Bekuar Mbretëreshës së Palestinës, patrores qiellore të Kishës në Tokën e Shenjtë. Fjalët e kardinalin Pizzaballa vijnë ndërsa, për herë të parë pas dy vitesh lufte, shfaqet një perspektivë armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit.

“Të gjithë e dimë se ajo çfarë ka ndodhur ndodhi në Gazaështë e trishtë", shkruan Patriarku. "Masakra të vazhdueshme civilësh, uri, zhvendosje, vështirësi në qasjen në spitale dhe kujdesin mjekësor". Megjithatë, në javët e fundit "lajmet flasin më në fund për një faqe të re pozitive të mundshme, për lirimin e pengjeve izraelitë, të disa të burgosurve palestinezë dhe për ndërprerjen e bombardimeve". Një hap "i rëndësishëm dhe i pritur gjatë", edhe pse "asgjë nuk është ende plotësisht e qartë dhe e përcaktuar" dhe "nuk duhet të kemi iluzione të rreme". Kard. Pizzaballa fton të ndajmë gëzimin e familjeve që do të mund të përqafojnë të dashurit e tyre, por paralajmëron: «Ndalimi i armiqësive është vetëm hapi i parë – i nevojshëm dhe i domosdoshëm – i një rruge plot vështirësi e rreziqe».

Patriarku nuk ofron analiza politike. Vështrimi i tij është shpirtëror, i rrënjosur në Ungjill. «Bota është tashmë plot me fjalë që rrallë ndryshojnë realitetin. Na intereson një vizion që na ndihmon të qëndrojmë të palëkundur në besim». Lufta, shkruan kardinali Pizzaballa, ka shkatërruar jo vetëm territorin, por edhe «shpirtin njerëzor të shumë personave». Zemërimi, inati, urrejtja dhe përbuzja «ndotin zemrat tona», dhe rreziku është të mësohemi me vuajtjen. «Por nuk duhet të jetë kështu: çdo jetë e humbur, çdo uri e duruar mbetet një skandal në sytë e Zotit».

Patriarku latin i Jeruzalemit Pizzaballa denoncon «logjikën e forcës» që dominon politikën dhe kulturën e kohës sonë. «Vetëm me forcë mund të imponohet paqja, është pohuar. Por nuk duket se historia na ka mësuar shumë». Megjithatë, në tragjedinë e Gazës, «kemi parë edhe reagimin e indinjuar të shoqërisë civile kundër kësaj logjike arrogante të pushtetit». Vetë feja, pranon Patriarku, vihet në provë: «Ndonjëherë perceptojmë distancën midis ashpërsisë së ngjarjeve dhe jetës së lutjes». Por e vetmja përgjigje e mundshme, thotë ai, është «të mbajmë vështrimin të fiksuar te Jezusi». Vetëm kështu mund të «vendosim rregull brenda nesh dhe të shohim realitetin me sy të ndryshëm».

07 tetor 2025, 10:50