Drejtoresha e Përgjithshme e OIM-it: Kisha, autoritet moral për të mbrojtur të drejtat e migrantëve
R.SH. - Vatikan
Shkurtimet e fondeve humanitare dhe bashkëpunimet e mundshme të Kishës me entet e angazhuara në mbështetjen e migrantëve. Amy Pope, drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, u tregon mediave të Vatikanit se i ka trajtuar këto argumente me Papën, i cili e priti në audiencë dje, më 2 tetor, në Pallatin Apostolik në Vatikan.
Në Romë për të marrë pjesë, ndër takimet e ndryshme, në konferencën "Refugjatët dhe migrantët në shtëpinë tonë të përbashkët. Rolet dhe përgjegjësitë e universiteteve" organizuar nga Universiteti Villanova nga SHBA-së dhe e cila po zhvillohet pranë Institutit Papnor Patristik Augustinianum, në Romë, Amy Pope thekson se "për shkak të konflikteve, ndikimeve të fatkeqësive klimatike dhe rritjes së varfërisë" gjithnjë e më shumë njerëz zhvendosen. Prandaj, nevojiten më shumë ndihma. Por shumë nga qeveritë kryesore donatore "kanë reduktuar mbështetjen për shkaqe humanitare". "Për organizatën tonë, rreth nëntë milionë njerëz e kanë humbur mbështetjen ose e kanë parë atë të reduktohet - thotë drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (OIM) -. Pra, nga pikëpamja njerëzore, në disa raste ndikimi është katastrofik".
Me Papa Leonin XIV Amy Pope mes tjerash foli për "nevojën që Kisha të bashkëpunojë me organizata" si OIM-i, pikërisht sepse "merren me persona që vuajnë nga nevojat më elementare, për të vazhduar të ndërgjegjësojnë dhe mbështesin njerëzit". "Kemi folur gjithashtu edhe për rëndësinë e riformulimit të çështjes së migracionit në një moment historik kur polarizimi është në nivelet më të larta historike" shton Amy Pope, duke theksuar se "ka ende shumë jehonë në mesazhin e Kishës për migrantët si burim shprese dhe si mishërim i rrugëtimit të krishterë", "një shtegtim që të gjithë e bëjmë, shpirtërisht ose fizikisht", duke u përpjekur gjithashtu të "ndërtojmë një komunitet mbështetjeje dhe ndërgjegjësimi për atë që sot po përballojnë migrantët" dhe të "jemi pjesë e një shoqërie më gjithëpërfshirëse".