7 tetori si 11 shtatori: çfarë nuk kemi mësuar nga terrorizmi
R.SH. / Vatikan
Dy vjet pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, një akt i tmerrshëm terrorizmi me pasoja në rrethe koncentrike (Liban, Iran, Jemen, Siri) që ende nuk janë shuar, krahasimi mes masakrave të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kryera nga al-Kaeda dhe "Operacioni Përmbytja al-Aqsa" i nisur nga Rripi i Gazës duket gjithnjë e më i besueshëm.
Edhe pse kanë një shkallë territoriale të ndryshme, të dyja kanë qenë masakra masive të planifikuara me kujdes dhe për një kohë të gjatë nga lëvizjet fundamentaliste islamike, të cilat kanë befasuar aparatet e sigurisë së kombeve të prekura dhe kanë provokuar një reagim me shtrirje shumë të gjerë, me luftëra të gjata në shkallë të gjerë.
Në rastin e sulmeve kundër qytetarëve izraelitë, për të cilët shënohet përvjetori i dytë, është e nevojshme të kujtohen koordinatat, për të mos humbur dimensionet dhe mënyrat e masakrës me gjakftohtësi të konsumuar ndaj të rinjve në një koncert dhe familjeve të tëra në shtëpitë e tyre, me episode të dokumentuara brutaliteti dhe sadizmi. Janë vrarë 1.200 civilë dhe ushtarakë izraelitë, rreth 250 janë rrëmbyer.
Operacioni filloi në orët e para të mëngjesit me një lëshim masiv raketash (mbi 3.000) mbi vende të ndryshme në jug dhe qendër të Izraelit, përfshirë Tel Avivin dhe Jeruzalemin. Njëkohësisht, njësi të armatosura të Hamasit dhe grupeve të tjera palestineze kaluan barrierën kufitare përmes pikave të detyruara, tuneleve dhe me përdorimin e automjeteve motorike, deltaplanëve dhe nga deti. Milicët sulmuan baza ushtarake, vendbanime dhe qytete izraelite pranë Rripit, duke përfshirë Sderot, Ofakim, Be'eri dhe Kfar Aza. Rindërtimet e atyre orëve të gjata e të tmerrshme flasin për fëmijë të vrarë, përdhunime dhe tortura.
Mënyra shumë të ndryshme, por po aq shkatërruese sa rrëmbimi i avionëve të linjës që u përplasën në Kullat Binjake, në Nju Jork. Bilanci i ngjarjes që shënoi fillimin e shekullit tonë shkaktoi edhe shumë më tepër viktima. Pavarësisht ndryshimeve, reagimet e Amerikës dhe Izraelit kanë qenë disi analoge, të detyruara nga madhështia simbolike dhe vdekjeprurëse e atyre sulmeve. Humbja e paprekshmërisë së territorit të vet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, masakra më e keqe që nga Lufta e Dytë Botërore për Tel Avivin dhe hebrenjtë në botë.
Nëse zhvillimi i konflikteve të mëvonshme, pushtimi i Afganistanit (dhe më pas i Irakut) dhe shkatërrimi i të gjithë Rripit të Gazës kanë pasur dinamika të ndryshme, e përbashkët për të dyja ngjarjet luftarake duket të ketë qenë vullneti shkatërrues i grupeve që i ideuan dhe i realizuan, si dhe pasojat. Al-Kaeda është çmontuar në masë të madhe si rrjet global dhe popullatat islamike të vendeve të prekura nga luftimet e mëvonshme të shkaktuara nga sulmet kanë paguar një çmim shumë të lartë në terma jetësh dhe zhvillimi, me vlerësime të ‘Costs of War Project’ (Projektit "Kostot e Luftës") që flasin për gjysmë milioni civilë të vdekur dhe po aq midis burrave nën armë. E njëjta gjë mund të thuhet për 7 tetorin. Hamasi që qeveriste Gazën ka humbur de facto kontrollin politik të rajonit dhe pjesën më të madhe të anëtarëve të tij, udhëheqësit e paktë ende gjallë do të shkojnë në mërgim nëse "plani i paqes i Trumpit" bëhet efektiv, ndërsa të paktën 67 mijë palestinezë, 3% e banorëve gjithsej, kanë vdekur nën bombat dhe plumbat e Izraelit.
Disa kanë shkuar aq larg sa të thonë se Hamasi ka "fituar" gjithsesi, me përdorimin cinik të gjakut të popullit të tij për të tërhequr "armikun sionist" në një kurth dhune. Vitet e ardhshme do të tregojnë se si do të vendosen rregullimet e reja të Lindjes së Mesme pas 7 tetorit. Megjithatë, tashmë mund të thuhet se reagimi, i cili me kalimin e kohës u bë joproporcional nga SHBA-ja atëherë dhe akoma më shumë nga Izraeli sot, ka krijuar një mur zemërimi nga Jugu global i botës ndaj këtyre dy vendeve, të cilat për më tepër kanë arritur fitore ushtarake fillestare – të përmendim Afganistanin – por, megjithëse kanë siguruar kufijtë e tyre, nuk kanë arritur rezultate politike të qëndrueshme.
1.200 viktimat e pafajshme, të cilave u shtohen pengjet e vdekur ose të liruar përfundimisht, nuk mund dhe nuk duhet të humbasin kujtimin dhe respektin tonë. Ata ishin shënjestra të pafajshme të sulmeve që nisën luftën për të cilën sot kaq shumë njerëz janë në sheshe duke kërkuar paqe. Hamasi nuk donte të çlironte Gazën, Gazës i ka bërë vetëm të keqen, kush thotë të kundërtën është në keqbesim të thellë. Hamasi ka ndezur një spirale të çoroditur urrejtjeje dhe shkatërrimi nga e cila nuk ka ditur, dashur e mundur të shpëtojë. Për këtë arsye, 1.200 civilët e masakruar janë dyfish viktima, të një krimi dhe të një mashtrimi të historisë.
Një mësim që nuk e kemi mësuar me 11 shtatorin dhe që mund ta mësojmë përfundimisht me 7 tetorin. Të parandalojmë terrorizmin jo vetëm me represion, por sidomos duke përmirësuar kushtet sociale dhe ekonomike në të cilat ai ushqehet. Ta luftojmë me vendosmëri, duke respektuar megjithatë më parë sensin e humanitetit sesa të drejtën ndërkombëtare. Kjo është mënyra për të nderuar të gjithë të rënët, pa dyshi, ambiguitet apo lëshime ndaj tundimeve antisemite që rishfaqen. T'i nderojmë me drejtësi dhe jo me hakmarrje.
(Andrea Lavazza nga Avvenire, 6 tetor 2025)