Kërko

Xham i pikturuar, Shpirti Shenjt si pëllumb, Bernini, Bazilika e Shën Pjetrit (ks. Marek Weresa) Xham i pikturuar, Shpirti Shenjt si pëllumb, Bernini, Bazilika e Shën Pjetrit (ks. Marek Weresa)

Shenjtorët e javës 7 - 21 shtator

Feja në Zotin nuk është diçka që imponohet. Një prozelitizem i tille është i huaj për krishterimin. Feja në Zotin mund të zhvillohet vetëm në liri. Vetëm në liri njerëzit mund të shërohen nga shurdhëzimi përballë zërit të Zotit, sëmundje nga e cila vuajmë posaçërisht në këtë kohen tonë.

R.SH. - Vatikan

E diel 7 shtator, Kisha katolike romake kremton të dielën e 23-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë ‘C’, gjithnjë më 7 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Regjinën, virgjër e martire dhe shën Guidon, ipeshkëv i Arecos.

Të hënën 8 shtator, Kisha katolike kremton festën e Lindjes të së Lumes Mari Virgjër.Tradita e kësaj feste lindi në shekujt e parë në Lindje dhe ishte Papa Sergji I, në shekullin e VII, ai që e vendosi këtë festë në kalendarin liturgjik të Kishës romake. Me përkujtimin e kësaj feste, që tradita kishtare e njeh me emrin “Të lindurit e Zojës”, kremtojmë ditëlindjen e Virgjërës Mari, në kraharorin e së cilës u mishërua Jezu Krishti, Zot e Shëlbues.

Të martën mё 9 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Pjetrin Klaver, meshtar jezuit, apostull ndër zezakë të internuar.

Të mërkurën me 10 shtator, kalendari kishtar përkujton shën Nikollën Tolentino, meshtar rregulltar augustinian.

Të enjten me 11 shtator, sipas kalendarit kishtar përkujton shenjtorët Proto e Gjaçinto, martirë dhe të lumin Bonaventura nga Barcelona, rregulltar françeskan.  

Të premten me 12 shtator,  Kisha kremton festën e Emrit të Shenjtë të Virgjrës Mari, e po më 12 shtator kalendri përkujton shën Guidon nga Brabanti e shën Silvanin e Veronës.  

Emri i Zojës Mari na kujton se nuk mund të quhemi ndjekës të Krishtit, në se nuk jemi edhe njerëz të uratës. Jezusi kalonte net të tëra në lutje, duke na mësuar të vërtetën se bota kthehet në rrugën e Zotit ‘me gjunjë’.

Të shtunën me 13 shtator, kalendari përkujton shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i Kishës, këndues i mrekullueshëm i lavdisë së Zotit. 

Të dielën e ardhshme më 14 shtator, Kisha katolike do të kremtojë festën e Naltimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit, siç njihet tek popullit shqiptar, festën e Shëna Kryqit, e po më 14 shtator përkujtohet edhe shën Alberti, patriark i Jerusalemit.

Festa e Naltimit të Kryqit të Shenjtë kremton një fakt historik të epokës së perandorit Konstandinit e nënës së tij Helenes, kur qe zbuluar mbi Golgotë në Jerusalem, Kryqi, mjeti i vdekjes së Krishtit. Ky Kryq i Krishti gjendet në Bazilikën e Jerusalemit. Je ti, o Zot, shpëtimi jonë. I lartuar mbi drurin e Kryqit, Biri i Zotit, Jezu Krishti Shpëtimtar, shëlbon gjithësinë dhe njerëzimin. Çdo herë që bëjmë shenjën e kryqit, ne rrëfejmë se prej Krishtit të gjithëve na është dhuruar jeta e amshuar.  

07 shtator 2025, 09:50