Kërko

 Arkimandriti arbëresh mons. Eleuterio Fortino Arkimandriti arbëresh mons. Eleuterio Fortino

Mons Fortino, një jetë në shërbim të bashkimit të të krishtërve e të shqiptarëve

Papas Eleuterio Fortino, një jetë në shërbim të bashkimit të të krishterëve e të shqiptarëve. Prifti i shquar arbëresh mons. Eleuterio Fortino qe urë lidhëse mes Kishës Katolike Romake e Kishave Ortodokse e atyre Lindore në përgjithësi, aq sa të quhet kujtesa dhe “shpirti i arkivit” të çështjes ekumenike. Nga pikëpamja kulturore e kombëtare shqiptare, ai qe hallkë mes botës arbëreshe e botës shqiptare

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 22 shtator 2010 ndërronte jetë  në Romë Arkimandriti monsinjor Eleuterio F. Fortino, prift arbëresh, teolog, gjigant i ekumenizmit, bir i ndritur i Arbëreshëve.

Kujtimi i monsinjor Eleuterio F. Fortino mbetet i pashlyeshëm për dëshminë dhe punën e tij si teolog, liturgjist, ekumenist, sidomos për shërbimin 40 vjeçar si zv.Sekretar i Këshillit Papnor për Bashkimin e të Krishterëve, me përgjegjësi të veçantë për marrëdhëniet me Kishat e Lindjes.

Figurë poliedrike, mons. Fortino, meshtar i ritit bizantin, gëzoi nderimin dhe respektin e të gjithëve pa dallim. Njohës i thellë i teologjisë, i spiritualitetit dhe i kulturës, predikatar e komunikues i jashtëzakonshëm, i përzemërt e mikpritës, kultivues e urë lidhës i marrëdhënieve mes njerëzve, Kishave e kulturave, mons. Fortino gjatë veprimtarisë së tij të shkëlqyeshme që zhvilloi në Romë e në Vatikan, dha një kontribut prej protagonisti tejet të rëndësishëm për dialogun Ekumenik të Kishave, për mbarë komunitetin e Arbëreshëve të Italisë si dhe për popullin shqiptar në përgjithësi.

Falë punës e largpamësisë së tij, themeloi në Romë rrethin kulturor të Arbëreshëve të Italisë “Besa” duke e bërë Kishën e Shën Athanasit, ku shërbente, pikë referimi për të gjithë besimtarët e krishterë arbëreshë të Romës e për të shqiptarët pa dallim. Shtëpia e tij ishte gjithmonë e hapur. Edhe pse prej vitesh nuk jetonte më në vendet arbëreshe, diti ti mbante të gjalla marrëdhëniet me Eparkinë e Ungros dhe me të Horës së Abëreshëve, si dhe me Kishën Katolike e me atë Ortodokse të Shqipërisë, me Kosovën e me diasporën shqiptare.

Gjatë veprimtarisë së tij të frytshme, ka botuar shumë shkrime teologjike, kulturore, kombëtare dhe shoqërore, ndër to po përmendim qarkoren “Besa” dhe pesëdhjetë “Sussidi catechetici” – “Libra katekizmi”, pastaj librin “Kisha bizantine arbëreshe e Kalabrisë”. Tema e njërit prej vëllimeve të fundit të kësaj serie, “Epèktasis” – “gjithmonë të prirë përpara”, thirrja e krishterë sipas Shën Gregorit nga Nisa, është njëkohësisht sintezë e modus operandi i Arkimandritit Fortino dhe një mesazh drejtuar komunitetit të arbëreshëve e të gjithë shqiptarëve që kanë për detyrë ta ruajnë kujtimin e tij të përjetshëm si thirrje për të “qëndruar të fortë gjatë udhës” drejt amshimit.

Për figurën e Arkimandritit të shquar arbëresh mons. Eleuterio Fortino, flet njërit prej bashkëpunëtorëve e miqve të tij të ngushtë, prof. Domenico Morelli, arbëresh, president i komitetit kombëtar italian për pakicat gjuhësore e protopslates (kreu) i korit të Kishës së Shën Athanasit në Romë, koordinator i rrethit kulturor të arbëreshëve “Besa”. Ta dëgjojmë bisedën e dom David Xhuxhës me prof. Domenico Morellin në mikrofonin e Radio Vatikanit Vatican News:

Prof. Domenico Morelli
22 shtator 2025, 12:44