Kërko

Macron dhe princi arab bin Farhan Macron dhe princi arab bin Farhan

Franca njeh Palestinën. Trump: dhuratë për Hamasin

Asambleja e 80-të e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u hap me njohjen e Palestinës nga Franca. Vendim, me të cilin janë bashkuar edhe shumë vende të tjera, ditët e fundit. Ndërkohë, Hamasi i bën presidentit amerikan Trump një propozim të ri për armëpushim, ndërsa vijon ofensiva izraelite në qytetin e Gazës

R.SH. – Vatikan

Rreth dhjetë vende janë bashkuar me qëndrimin e Parisit në Konferencën e nivelit të lartë për zgjidhjen me dy shtete në konfliktin izraelito-palestinez, thirrur nga Franca dhe Arabia Saudite, në hapje të Asamblesë së 80-të të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Palestina njihet nga 151 vende

Në krye të përpjekjeve diplomatike, presidenti francez Emmanuel Macron, i cili, duke folur në Pallatin e Qelqit në Nju Jork, deklaroi se "kjo njohje është e vetmja zgjidhje, që do t'i sjellë paqe Izraelit". Kreu i shtetit francez e pati bërë të qartë vendimin e tij ditët e fundit, duke u pasuar nga vende të tjera të mëdha perëndimore, si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia dhe Portugalia. Dje, lista u zgjerua më tej me Belgjikën, Finlandën, Luksemburgun, Maltën, Zelandën e Re dhe San Marinon. Deri më sot, shteti i Palestinës si entitet sovran njihet nga 151 ndër 193 shtetet anëtare të OKB-së. Kujtojmë se që nga viti 1988, ndër to, është edhe Shqipëria.

Sot, Trump në OKB

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet Departamentit të Shtetit, e konsideruan veprimin e aleatëve të tyre si "thjesht simbolik", duke shpjeguar se objektivi i Uashingtonit "mbetet diplomacia serioze, jo gjestet spektakolare". "Përparësitë tona janë të qarta: lirimi i pengjeve, siguria e Izraelit dhe paqja e zhvillimi për të gjithë rajonin, të cilat janë të mundshme vetëm pa Hamasin", shton Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Sot, në OKB, flet presidenti amerikan Donald Trump. Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se presidenti do të sulmojë "institucionet globaliste" dhe do të mbrojë tezën se njohja e shtetit palestinez është dhuratë për Hamasin.

Propozimi i Hamasit

Ndërkohë, organizata terroriste palestineze që kontrollon Rripin e Gazës përsërit propozimin e saj për një armëpushim 60-ditor në këmbim të lirimit të gjysmës së pengjeve, që mbahen ende prej saj. Presidenti i Autoritetit Palestinez (PNA), Mahmoud Abbas, kërkon që Hamasi t'ia dorëzojë armët dhe deklaron se Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e Rripit të Gazës. Por luftimet në terren vazhdojnë e tanket izraelite kalojnë nëpër rrugët qendrore të qytetit, duke shkaktuar të vdekur e të plagosur.

23 shtator 2025, 15:08