Kërko

DOM GJERGJ GJERGJI-GASHI (1948-2016) DOM GJERGJ GJERGJI-GASHI (1948-2016)

Dom Gjergji Gjergji në përvjetorin e vdekjes

Më 23 shtator kujtojmë meshtarin e historianin dom Gjergj Gjergji, në përvjetorin e kalimit në amshim, më 23 shtator 2016. Botoi vepra si “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”, “Vatikani e Arbëria” dhe “ Kosova, altari i Arbërisë”.

R.SH. / Vatikan

Më 23 shtator kujtojmë meshtarin e historianin dom Gjergj Gjergji, në përvjetorin e kalimit në amshim, më 23 shtator 2016, në vendlindjen e tij, në fshatin Stubëll të Karadakut të Kosovës. 

Dom Gjergj Gjergji, meshtar e historian, krahas misionit meshtarak, punoi plot pasion në fushën e historisë, duke kërkuar rreth së kaluarës së popullit dhe të Kishës shqiptare, në mënyrë të veçantë mbi Martirët e Karadakut. Për këta dëshmitarë të vlerave shpirtërore e kombëtare, siç i quante dom Gjergji martirët shqiptarë, bëri kërkime në arkivat  e shumë vendeve të Evropës dhe në ato të Vatikanit.

Fryti i punës së tij hulumtuese është vepra “Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848” . Në këtë vepër, dom Gjergj Gjergji – Gashi, nxorri në dritë kalvarin e shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti të shqiptarëve të besimit katolik të katër fshatrave të Malësisë së Karadakut gjatë sundimit otoman: Stubllës, Vërnakollës, Binçës e Terziajve. Në këtë vepër ai sjell dokumente e fakte të shumta mbi ngjarjet historike të dhimbshme si dhe dëshmitë e atyre që qenë ende gjallë, të cilët e kujtonin hap pas hapi kalvarin e popullsisë së Malësisë së Karadakut, gjatë viteve 1846-1848.

Libri mbetet një thesar i çmuar me të dhëna  mbi ngjarjet e dhimbshme të një populli, përmes së cilave, autori, deshi të përforconte vetëdijen kombëtare, e këtë përmes njohjes së identitetit e të ndërgjegjësimit shpirtëror. Ndër veprat tjera të dom Gjergj Gjergjit Gashi përmendim “Vatikani e Arbëria”, dhe “ Kosova, altari i Arbërisë” (tre vëllime), si dhe shumë vepra tjera që i la në dorëshkrim.  Dom Gjergj Gjergji – Gashi, qe një meshtar i zellshëm dhe njeri i pasionuar pas historisë së popullit shqiptar, letërsisë, publicistikës etj. 

Po ju propozojmë një fragment nga intervista e dom David Xhuxhës realizuar me dom Gjegj Gjergjin më 1994 me rastin e botimit të veprës së tij "Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848”, ta dëgjojmë dom Gjergj Gjergjin në mirkofonin e Radio Vatikanit:

Dom Gjergj Gjergji

 

23 shtator 2025, 10:48