At Zef Pllumi ofm në përvjetorin e vdekjes
R.SH. - Vatikan
Sot më 25 shtator kujtojmë përvjetorin e kalimit në amshim të françeskanit shqiptar At Zef Pllumi. Ky dëshmitar i paepur i Zotit dhe i kombit na la faqe të çmueshme të historisë së Ungjillit të shpresës dhe të qëndresës së vërtetë shqiptare, në kohën e diktaturës ateiste komuniste, njërën nga periudhat më të errëta të historisë së popullit shqiptar.
Me rastin e përvjetorit të kalimit të tij në shtëpinë e Atit Qiellor, më 25 shtator 2007 në spitalin romak “Gemelli”, duam të vëmë edhe një herë në dukje, dëshminë e shndritshme të fesë, të kulturës e të atdhedashurisë që na la françeskani At Zef Pllumi.
Aftësia e tij e leximit të së kaluarës e të së sotmes së popullit shqiptar, dialogu dhe afërsia që kishte me gjithkënd janë një thesar i çmuar për shoqërinë shqiptare.
Nuk mund të harrojmë sot dëshminë tejet të çmueshme të atij kalvari, pjesë e të cilit ishte edhe personalisht At Zefi, që përjetoi populli shqiptar, Kisha, kleri e Vendi mbarë në periudhën e errët të diktaturës komunist në Shqipëri.
"Tashma asht ngulít gjanësisht në vetëdijen e shqiptarëve ideja se të gjithë kishim nevojë për nji rrëfim paqsor dhe të vërtetë të kohës së komunizmit, si vepra «Rrno vetëm për me tregue» që na la At Zef Pllumi tek kryevepra e tij. Janë shkrue shumë vepra për at’ periudhë, prej shkrimtarësh të ndryshëm, por libri «Rrno vetëm për me tregue» “zhdrivillon rranjët e nji tragjedie kombtare që nisi në vitin 1944, nji luftë që për ne niste atëherë kur e gjithë Europa fitonte paqen e shumëandrrueme".
Jeta dhe veprimtaria e At Zef Pllumit janë histori jete, feje, qëndrese, shprese, pra, histori vëllazërimi, dokument historie, dëshmi e dokument me vlera të mëdha kombëtare që mundëson të shohim imtësisht atë çka ndodhi në Shqipëri gjatë regjimit të diktaturës ateiste komuniste.
Personalisht At Zefi pati një jetë shumë të dhimbshme, plot vuajtje dhe sakrifica, por gjithmonë e kurdoherë besnik ndaj Fjalës së Zotit dhe bindjeve të fesë, ideve kulturore e kombëtare, të cilat diti t'i ruajë për rreth tre dekadave të burgjeve komuniste dhe t’i sjell nga errësira në dritë, nga vuajtja në liri, nga vdekja në ringjallje.
Në përvjetorin e ndarjes nga jeta tokësore, At Zef Pllumin e kujtojmë me mirënjohje, ndërsa në mendje tonë na kthehen vizionet e tij të mëdha dhe vlerat që mishëronte e dëshmonte me bindje e thjeshtësi, me kujtesë të saktë e largpamësi, plotë shpresë, dashuri vëllazërore dhe fuqi ungjillore e kombëtare që ua transmetonte të gjithëve.