Vendosja e shtatores së Shenjtës Nënë Terezës në Guci
R.SH. / Vatikan
Më 23 gushtin e kaluar në Kishën e Shan Ndout në Guci u përurua vendosja e shtatores së Shenjtës Nënë Terezë. Kjo ngjarje mblodhi së bashku kler, besimtarë, përfaqësues të institucioneve dhe komunitetin, në një atmosferë mirënjohjeje dhe lutjeje.
Në ceremoni morën pjesë Imzot Rrok Gjonlleshaj, Kryeipeshkëv i Tivarit, i cili drejtoi Meshën solemne dhe ritin e bekimit të shtatores së Shenjtes shqiptare, me famullitarin e Gucisë dom Gabriel Gabranica e meshtarë të tjerë, përfaqësues të Njësisë Administrative Kelmend, përfshirë administratoren Florida Peraj, diplomat, përfaqësues të pushtetit vendor, të feve të ndryshme, të shoqatave kulturore e patriotike, përfaqësues të diasporës, si dhe qindra besimtarë nga Plava, Gucia e më gjerë, me organizatorin Gjovalin Nikci.
Shtatorja e Nënë Terezës u dhurua me shumë dashuri nga z. Kolë Zagrada, i bindur se përmes kësaj figure do të ripërtërihen gjurmët e çmuara shpirtërore dhe kulturore për Plavën, Gucinë dhe mbarë trevat tjera arbënore.
"Nënë Teteza krenaria e pasuria jonë. Kjo shtatore nuk është vetëm një vepër arti, por një mësuese e heshtur, një urë: një urë paqeje, respekti e harmonie mes nesh. Me këtë bekim, ky vend merr një dimension të ri. Nuk është thjesht një shesh, një oborr i Kishës së Gucisë, por bëhet hapësirë kujtese dhe frymëzimi. Çdo njeri që do të kalojë këtu, do të ndalet e do të pyesë veten: çfarë po bëj unë për tjetrin? Le të lutemi që ndërmjetësimi i Shën Nënë Terezës të sjellë bekim për këtë qytet, për të gjithë Malësinë, për kombin tonë dhe për mbarë botën", tha mes tjerash Imzot Rrok Gjonlleshaj, kryeipeshkëv i Tivarit. Në vijim predikimi i kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj.
Predikimi imzot Rrok Gjonlleshaj me rastin e zbulimit dhe bekimit të shtatores së Shën Nënë Terezës në Guci, më 23 gusht 2025.
Të dashur vëllezër e motra, meshtarë e rregulltarë, autoritete vendore e kombëtare, përfaqësues të feve të ndryshme, miq dhe dashamirë,
me gëzim të madh, me dashuri e nderim të thellë, jemi mbledhur këtu në Guci për të zbuluar dhe bekuar shtatoren e një figure që nuk është vetëm krenaria jonë, por është pasuri e mbarë njerëzimit: Shën Nënë Terezës, misionares së dashurisë, gruas së përulur që u bë zë i të varfërve dhe nënë e botës.
Nënë Tereza erdhi nga një familje e thjeshtë shqiptare, por zemra e saj ishte aq e madhe sa përqafoi gjithë botën. Ajo nuk kishte pasuri, as pushtet, por kishte dashuri të pafund dhe e ndau pa kursim me ata që askush nuk i donte, me ata që jeta i kishte harruar. Kur e shohim këtë shtatore, duhet të kujtojmë se është një kujtesë e gjallë se edhe një njeri i vogël me zemër të madhe mund të ndryshojë botën.
I ndëgjuamë fjalët e Jezusit, “ Ejani të bekuarit e Atit tim”: “Sepse kisha uri dhe më dhatë të ha; kisha etje dhe më dhatë të pi.” (Mt 25,35). Kjo bij e popullit ton në mënyt të mrekullueshme i ka zbatue, e neve na porosit: “Nëse nuk mund të ushqesh njëqind veta, ushqe vetëm një”.
Mesazhi i saj ishte i thjeshtë, por i fuqishëm: “Dashuria fillon në familje, në shtëpi, në vendin tënd.” Ky mesazh sot është thirrje për ju gucianët, për mbarë Malësinë dhe për kombin tonë. Nënë Tereza që është trashëgimi e mbarë njerëzimit, por mbi të gjitha, ajo është urë bashkimi për ne shqiptarët kudo që jetojmë. Na mëson se përtej feve, përtej kombësive, përtej dallimeve të çdo lloji, është dashuria ajo që na bashkon.
Në këtë kohë kur bota dhe shoqëria shpesh trazohen nga ndarje e armiqësi, Jezusi na mëson: “Lum ata që sjellin paqe, sepse ata do të quhen bij të Hyjit.” (Mt 5,9). Kurse këtu, nëpërmjet këtij busti në bronz, zëri i Nënë Terezës kumbon si një thirrje: “Paqja fillon me një buzëqeshje.”
Sot, të porositur edhe nga Ati i shenjtë Papa Leoni, nga ky vend i bekuar i Gucisë, le të shpallim se duam të ndërtojmë paqe mes nesh, në familjet tona, në fshatrat e qytetet tona, në kombin tonë.
Kjo shtatore nuk është vetëm një vepër arti, por një mësuese e heshtur, një urë: një urë paqeje, respekti e harmonie mes nesh. Brezat e rinj kur ta shohin këtë figurë, le të kujtojnë se jeta e vërtetë nuk matet me pasurinë apo famën, por me dashurinë dhe shërbimin që japim për të tjerët. Shën Nënë Tereza i fton të rinjtë e Gucisë e të të gjitha trojeve shqiptare të mos dorëzohen para vështirësive, por të jenë dritë e shpresë për ata që i rrethojnë.
Me këtë bekim, ky vend merr një dimension të ri. Nuk është thjesht një shesh, një oborr i Kishës së Gucisë, por bëhet një hapësirë kujtese dhe frymëzimi. Çdo njeri që do të kalojë këtu, do të ndalet e do të pyesë veten: çfarë po bëj unë për tjetrin? A po i sjell një rreze drite dikujt që jeton në errësirë? Në këtë mënyrë, shtatorja e Nënë Terezës bëhet një ftesë e përhershme për shërbim dhe dashuri. “Çfarëdo që bëtë për njërin prej këtyre më të vegjëlve, ma bëtë mua”, na thotë Jezusi në Ungjillin e Mateut (Mt 25,40).
Të dashur vëllezër e motra, duke zbuluar dhe bekuar këtë shtatore të Nënë Terezës, të kësaj gruaje të Shenjtë, ne thjesht përkujtojmë dhe ripërtërijmë thirrjen që edhe ne të bëhemi “shtatore të gjalla” të dashurisë, të paqes e të shpresës.
Le të lutemi që ndërmjetësimi i Shën Nënë Terezës të sjellë bekim për këtë qytet, për të gjithë Malësinë, për kombin tonë dhe për mbarë botën.
Amen!