Kërko

Më 18 gusht kalendari kujton Shën Florin e Laurin, martirë nga Ulpiana e Dardanisë

Shenjtorët Flori dhe Lauri janë dy martirë të krishterë, binjakë, që jetuan në Iliri gjatë epokës perandorake dhe u martirizuan për besimin e tyre. Ata ishin gjithashtu skulptorë dhe pësuan martirizimin në gjysmën e parë të shekullit II.

R.SH. - Vatikan

Më 18 gusht, Kisha katolike romake përkujton dy shenjtorë, që derdhën gjakun për Krishtin në trojet shqiptare: e kemi fjalën për Shën Florin e Shën Laurin, nga qyteti i Ulpianës në tokën e Dardanisë, Kosova e sotme, në afërsi të Prishtinës.

Dy vëllezërit, Flori e Lauri, ishin gurgdhendës të njohur e të vlerësuar nga autoritetet e kohës së perandorit romak Adrianit (117-138). Qenë nxënës të Prokolit e të Maksimit, martirë. Pas vdekjes së këtyre për shkak të fesë në Krishtin, Flori e Lauri nga Bizanti u transferuan në Iliri, në qytetin Ulpiana, në krahinën e Dardanisë, Kosovën e sotme, ku punuan në minierën gurore Pretoriane të Perandorisë Romake, për llogari të Likonit guvernator. Krahas punës e kujdesit të tyre për të varfrit, i luteshin pandërprerje Jezusit Zot, duke mohuar e refuzuar kultin e idhujve që detyronin perandorët romakë.

Për shkak të dëshmisë së fesë së tyre në Krishtin, predikimit të ungjillit e përhapjes së fesë së krishterë, Flori e Lauri u arrestuan, u burgosen, u torturuan e më vonë, me urdhër të guvernatorit të krahinës së Dardanisë, prokonsullit Likone, i groposën për së gjalli.

Shën Flori e Lauri jetuan në një botë pagane, e janë shembull për ne, sepse për fenë e tyre në Krishtin flijuan gjithçka e përballuan gjithfarë persekutimesh, shpifjesh, torturash, deri në flijimin e jetës me martirizim.

Ndër Kishat e përhapura në vende të ndryshme në përkujtim të këtyre martirëve, në vitin 1989-1990 edhe në fshatin Grazhdanik, afër Prizrenit, është ndërtuar një Kishë e vogël, kushtuar pikërisht këtyre dy martirëve të Ulpianës, Florit e Laurit. Kjo vepër qe ideuar e realizuar nga prifti famullitar i Kishës Katedrale të Prizrenit, mons. Nikollë Mini.

18 gusht 2025, 09:56