Siria, Al-Sharaa: "të krishterët janë pjesë e rëndësishme e historisë së popullit sirian"
R.SH. / Vatikan
“Unë nuk i konsideroj të krishterët sirianë pakicë, por pjesë integrale dhe të rëndësishme të historisë së popullit sirian. Jetova për një kohë të gjatë në Guvernatoratin e Idlibit, ku u njoha me angazhimin e dy vëllezërve të tij, Atë Hanna dhe Atë Loai, në favor të popullsisë së asaj zone. I ndihmuan dhe i mbështetën të gjithë ata që u drejtoheshin, pa asnjë dallim. Pata nderim e respekt për ta”.
Këto, fjalët me të cilat lideri i ri sirian Ahmed Al-Sharaa iu përgjigj njërës nga pyetjet e mia për praninë e pakicës së krishterë në Siri dhe, në veçanti, për misionin e rojtarisë të Tokës Shenjte. Rrethana ishte takimi që na u mundësua ditën e fundit të vitit 2024 së bashku me krerët e konfesioneve të tjera të krishtera në Pallatin Presidencial, në Damask. Al-Jolani shfrytëzoi rastin për të shprehur “para së gjithash admirimin, vlerësimin dhe respektin e madh për Papën Françesku: është njeri i vërtetë i paqes - nënvizoi – i kam vlerësuar thirrjet dhe veprimet e tij në favor të paqes dhe të popujve që jetojnë në kushte të vështira”.
Si Vikar i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë pata një bisedim privat me të. Ahmed Al-Sharaa m’u duk i gatshëm për dialog të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Gjatë takimit, në të cilin kërkova të marrin pjesë edhe Atë Rashid dhe Atë Sandro, ai na foli për ndryshimin e strukturës qeveritare, që do të çojë në stabilitetin politik të vendit përmes fazave të planifikuara, për të arritur ekuilibrin demokratik. Na siguroi edhe se do tregojë vëmendje më të madhe për të drejtat themelore të popullit sirian.
Lidhur me situatën shoqërore dhe administrative që gjeti me mbërritjen e tij në Damask, Ahmed Al-Sharaa kujtoi se “për vite me radhë popullit sirian iu desh të vuajë pasojat e korrupsionit të përhapur në nivele të ndryshme. Mungonin shërbimet themelore për jetën e shumicës së njerëzve, mungonte çdo formë zhvillimi dhe rritjeje për vendin. Disidentët arrestoheshin dhe, në rastin më të keq, zhdukeshin. I vizituam burgjet: nuk kishin asgjë njerëzore. Territori sirian, i pasur me histori dhe qytetërim mijëravjeçar, është shkatërruar pothuajse tërësisht. Marrëdhëniet ndërmjet sirianëve çuan në konflikt e përçarje”.
Përsa i përket të ardhmes së popullit sirian, që vuajti kaq shumë dhe mundësisë së konflikteve e ndarjeve të tjera të mundshme, me një vështrim krenar dhe vendimtar, lideri u përgjigj pa ngurrim: “Ne po punojmë për unitet dhe paqe. Është vullneti ynë i patundur. Do të duhet kohë, por jam i sigurt se do të jemi në gjendje t'i japim Sirisë stabilitet politik dhe social".