Festat e çifteve të përzjera në Itali, laborator ndërkulturor dhe ndërfetar
R.SH. / Vatikan
Më shumë se 90% e njerëzve që jetojnë në çifte të përzjera, me Besojma të ndryshme, i kremtojnë festat fetare së bashku. Jo rastësisht titullohet "Festoj dy herë", raporti i publikuar kohët e fundit, falë bashkëpunimit të Centro Studi Confronti dhe Shoqatës Italiane të Familjeve dhe Çifteve të Përziera (Aifcom), që i jep këto të dhëna. Në familjen italiane, ku të paktën njëri prej partnerëve është i huaj, është zakon që festat fetare të kremtohen me frymën e mbështetjes dhe transmetimit të identitetit tek fëmijët. Kërkimi, i cili ka dhënë shumë rezultate të tjera, u zhvillua mbi bazën e një pyetësori, me pjesëmarrjen e 424 vetëve, nga të cilët 157 çifte dhe 110 partnerë beqarë. E për ta njohur nga afër përvojën e çifteve të ndryshme, u pyetën 9 grupe, në 7 qytete italiane (Torino, Milano, Trento, Bolonja, Romë, Palermo dhe Catania),
Laborator ndërkulturor dhe ndërfetar
Duke respektuar të dhënat e fesë përkatëse, 45% e të pyeturve deklaruan se ishin besimtarë, gjysma të krishterë, pak më shumë se 40% myslimanë, 3% budistë dhe pjesa tjetër, 4%, e feve të tjera. Edhe tek ata që nuk deklarohen fetarë, përqindja e atyre që festojnë festat fetare së bashku arrin në 70%. Një mënyrë e ndryshme për ta jetuar kohën e festave, që tani përfshin një numër gjithnjë e në rritje njerëzish në Itali. "Një realitet kaq i konsoliduar për të paktën 25 vjet duhej treguar - komenton Alessandro Cirioni, kryetar i Aifcom - Objektivi i këtij raporti inovativ është të ofrojë për herë të parë një pasqyrë objektive e larg stereotipesh, mbi gjendjen e një realiteti shoqëror të ndërlikuar e të larmishëm, laborator ndërkulturor dhe ndërfetar i Italisë së sotme”.
Dallimet e jetuara si mundësi
“Gjatë kërkimit në dosjet - komentoi në mediat e Vatikanit Alberto Mascena - u zbulua se nuk është dallimi fetar si i tillë, i të jetuarit në çifte me fe të ndryshme, ai që përfaqëson vështirësi, por më tepër kuptimi që çiftet ia atribuojnë këtyre dallimeve. Ka shumë çifte që e shohin si mundësi”. Raporti dha një përmbledhje të jetës së përditshme të atyre që jetojnë vazhdimisht në diversitet, "për të nxitur shoqërinë civile të veprojë për të drejtat e këtyre njerëzve", "të rrisë ndërgjegjësimin dhe, në një farë mënyre, të normalizojë faktin se nuk ka më kuptim për të folur për italianë dhe të huaj": "Ky tip dualizmi njohës - vëren Mascena - vihet në krizë nga çiftet e përziera".
Frika nga larmia
Të vërejmë një shembull në familjen e përbërë nga Amadou Keita, guinean, dhe Bruna d'Angelo, italiane, banorë në Katania dhe përfaqësues territorialë të Aifcom. “Po jetojmë në një çift fantastik për mua: e pranoj atë ashtu siç është, e edhe ajo po më pranon mua ashtu siç jam” - shpjegon Amadou me entuziazëm.
Ata kanë dy fëmijë (dhe një të tretë për rrugë), por mirëpritën edhe dy fëmijë të tjerë nga lidhja e mëparshme me burrin e saj. “Tek çdo njeri ka diçka për t’u pranuar – vëren Bruna – Ne kemi arritur gjithashtu, ndoshta me hirin e Zotit, t'i shndërrojmë pranimet, të cilat ndonjëherë duken si gjëra të rënda, ndërsa në të vërtetë janë pasuri". "Duhet shumë durim, mençuri, por mbi të gjitha dialog - vazhdon - megjithatë, nëse të gjitha këto mundësi do të jetoheshin si katalizator për ndryshimin, ndoshta kjo botë do të ishte pak më paqësore". Amadou thotë se takimi me një prift ishte themelor në shtegtimin e tyre, pasi ai i bëri të kuptojnë rëndësinë e njohjes së fesë së njëri-tjetrit personalisht, duke qenë se Bruna është e krishterë e Amadou, mysliman.
“Kur ka çaste të rëndësishme për fenë e gruas sime, unë jam gati për të marrë pjesë me të dhe me fëmijët. Kështu është njësoj kur kremtohet, për shembull, festa e Ramazanit: e gjithë familja e saj vjen në shtëpinë tonë dhe ne festojmë”. “Kur ai filloi të vinte në kishë, me rastin e disa festave, ishte pak si të kapërceje një frikë, sepse është e vërtetë që ajo që është ndryshe, është e frikshme, as nuk mund ta mohojmë. Ajo që na shkakton siklet duhet përballuar. Tani e përballojmë dorë për dore, duke pranuar edhe atë që na krijon”.
Të dhënat e Istat-it
16,1% e totalit të martesave të festuara në vitin 2023 në Itali kanë të bëjnë me çifte që kanë të paktën një partner të huaj. Sipas të dhënave të Istat, të përditësuara deri në nëntor 2024, ka 29,732 dasma të certifikuara të çifteve të kulturave të ndryshme, të cilët ndonjëherë kanë edhe fe të ndryshme. Kjo është një shifër që mbetet e qëndrueshme krahasuar me një vit më parë, por që kishte një rritje të ndjeshme në të kaluarën (+21,3% në 2022 dhe +29,5% në 2021). Në qendër-veri, një në pesë martesa përfshin të paktën një bashkëshort të huaj, ndërsa në jug kjo lloj martese është e barabartë me 9.3%. Shquhen provinca autonome Bolzano/Bozen (28.9%), Umbria (23.7%) dhe Toscana (23.4%). Pothuajse tre të katërtat e martesave të përziera - 8.4% e festimeve në nivel kombëtar në vitin 2023 - kanë të bëjnë me çifte me një dhëndër italian dhe një nuse të huaj (15,389). Gratë italiane që kanë zgjedhur një partner të huaj janë 5822, 3.2% e numrit total të nuseve. Në vitin 2023, burrat italianë u martuan me shtetase rumune në 19.8% të rasteve, ukrainasit në 9.7%, brazilianët në 6.1% dhe rusët në 5.9%. Nga ana tjetër, femrat italiane kanë bashkëshortë me nënshtetësi marokene në 11.9% të rasteve ose shqiptare, në 8.5%. Eurispes hipotezon një rritje të vazhdueshme të këtyre bashkimeve, duke pohuar se në vitin 2030 do të festohen 35,807 martesa të përziera.