Më 27 dhjetor kalendari kujton Shën Gjonin, Apostull
R.SH. - Vatikan
Shën Gjoni, i biri i Xebedeut, vëlla me Shën Jakun Apostull dhe nxënës i Shën Gjon Pagëzuesit, është ndër të parët që ndoqën Jezu Krishtin, me tekstet e tij na mëson të besojmë dhe të duam.
Vetëm nëse e duam Zotin do të jemi në gjendje ta shikojmë botën me sytë e tij dhe të kuptojmë thellësinë e realitetit që na rrethon. Shën Gjoni Apostull, të cilit tradita ia atribuon Ungjillin e katërt, tri Letra dhe librin e Zbulesës, libri i vetëm profetik i Besëlidhjes së Re, na shoqëron në një udhëtim të dëgjimit të "Logos" së Zotit, të fjalës dhe të rendit, të aftë për t'u zhytur plotësisht në dashurinë e Zotit.
Gjoni, "dishepulli i dashur" i Jezusit, në tekstet e tij tregon të gjitha dhuntitë e tij si teolog, i aftë të bashkojë zemrën dhe intelektin, të lexojë shenjat e kohës dhe të kuptojë fatin e cakun e ardhshëm të historisë. Në këtë mënyrë ai ofron një “pedagogji besimi” të vërtetë. Me origjinë nga Galilea, Gjoni ishte djali i Zebedeut dhe vëllai i Jakut të Madh. Sipas traditës, vdiq në Efes, pas mërgimit në Patmos, në fund të shekullit I. Sipas Palit, Gjoni ishte një “shtyllë” e Kishës, me Pjetrin e Jakun.
Shën Gjoni Ungjilltar e takoi Jezusin, Zot të vërtetë e njeri të vërtetë, e këtë përvojë konkrete dëshiron t’ua komunikojë edhe të tjerëve. Ai është i pushtuar nga dëshira paradoksale për të bërë të dukshme të padukshmen, prandaj nuk mund të heshtë e të mos flasë për ç’ka parë e dëgjuar, edhe përballë atyre që e persekutojnë. Pikërisht kjo çiltërsi në dëshmimin e fesë, mbetet shembull për të gjithë ne e na kujton se duhet të jemi përherë gati për ta dëshmuar burrërisht bashkimin tonë të patundur me Krishtin, duke ia kundërvënë fenë çdo llogarie e interesi njerëzor.
Gjoni, me intuitë shkreptimtare, shpall se Zoti është dashuri, dashuri që Hyji e shprehu konkretisht në Jezusin. E Krishti nuk u mjaftua me fjalë, por kaloi nga fjalët, tek veprat, duke e paguar me kokë, impenjimin e tij, ashtu siç shkruan edhe Shën Gjoni: “Hyji e deshi aq shumë botën, dmth të gjithë neve, sa të dhuronte Birin e tij të vetëm (Gjn. 3, 16). E dashuria e Hyjit për njerëzit konkretizohet e dëftohet në dashurinë e vetë Krishtit. E Gjoni vijon të shkruajë: “Jezusi, pasi i deshi të tijtë që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit”. … Ja deri ku arriti dashuria e Jezusit për ne: deri në derdhjen e gjakut të vet për shëlbimin tonë! I krishteri, duke kundruar këtë provë të dashurisë, nuk mund të mos e pyesë veten se si duhet t’i përgjigjet. Gjoni flet për urdhërimin e ri të Jezusit: ‘Duajeni njëri-tjetrin, ashtu si ju desha unë. Shën Gjoni apostull e ungjilltar vdiq në Efez në vitin 101.